U mbajt mbledhja e dytë e Kuvendit Komunal të Prishtinës

- 11 Mar 2015

Sot u mbajt mbledhja e dytë e Kuvendit Komunal të Prishtinës

Pjesë e rendit të ditës ishin 13 pika, prej të cilave edhe dy propozimrregullore. Propozimrregullorja për menaxhimin e varrezave dhe objektit komemorativ, me disa sugjerime nga ana e asambleistëve u votua nga Kuvendi Komunal. Me këtë rregullore përcaktohen kushtet e përgjithshme për ofrimin e shërbimeve të varrimit, rregullimin dhe mirëmbajtjen e varrezave dhe objektit komemorativ të Prishtinës.

Ndërsa, propozimrregullorja për kriteret e planifikimit të kushteve të propozuara ndërtimore u hoq nga rendi i ditës pasi që asambleistët e LDK – së dhe PDK – së kërkuan që të plotësohet kjo rregullore dhe të sillet në votin në seancën e radhës. Propozimrregullorja për kriteret e planifikimit të kushteve të propozuara ndërtimore ka për qëllim lehtësimin dhe definimin e procedurave për kushte ndërtimore dhe rregullimin e parcelave kadastrale, sipas ligjeve në fuqi.
Po ashtu, nga rendi i ditës u hoq edhe pika e pestë për propozimvendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e pallatit olimpik, ndërsa në vend të saj, u caktua diskutimi lidhur me bibiliotekën “Hivzi Sulejmani”.
Në këtë mbledhje u miratuan propozimvendimi për themelimin e Komitetit konsultativ për persona me nevoja të veçanta, propozimvendimi për ndërrimin e destinimit të tokës nga ajo bujqësore në tokë ndërtimore të një pale që ka shtruar një kërkesë të tillë, si dhe propozimvendimi për lëvizjen e trasesë së rrugës në mes të bllokut “G” dhe “D” në kuadër të Planit rregullues të lagjes “Prishtina e Re – zona Qendër”, afër pallatit të rinisë.
Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci prezantoi edhe të dhënat lidhur me suksesin e nxënësve në gjysmëvjetorin e parë të vitit mësimor 2014/2015. Pjesë e diskutimeve ishin dallimet e sukseseve mësimore ndërmjet nivelit të shkollimit fillor dhe atij të mesëm.
“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës po punon në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim që cilësia e arsimit në shkollat tona të shënojë progres dhe të arrijë në nivelin e shkollave të përparuara, si: në mësimdhënie, në nxënie dhe te një vlerësim sa më objektiv i arritshmërisë së nxënësve”, tha me këtë rast, ndër të tjera, Nagavci.
Gjithashtu, në këtë mbledhje u dhanë informata për ndarjen e bursave për vitin akademik 2014 – 2015 si dhe informata për personelin arsimor në Komunën e Prishtinës.