- 21 Mar 2015
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bashkë me drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arben Vitia, vizituan aktivitetet edukative dhe promovuese që u organizuan me rastin e “Ditës botërore për shëndetin oral”.
Me këtë rast, kryetari Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës, ka në plan që nëpër shkolla të instalojë apo të kenë kontrolle të rregullta sistematike edhe stomatologjike.
“Janë duke u organizuar aktivitete edukativo-arsimore me qëllim të vetëdijesimit të fëmijëve sa i përket shëndetit oral. Me vizitat sistematike që i kemi bërë nëpër shkolla e kemi parë që mbi 80% e fëmijëve kanë probleme me ndonjë dhëmbë të prishur. Vetëm aktivitetet vetëdijësuese nuk mjaftojnë në përmirësimin e gjendjes së keqe të shëndetit oral që po mbizotëron në vend. Andaj, janë të parapara edhe politika tjera dhe sisteme të ndryshme rregullative që tashmë kanë filluar të zbatohen nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, tha Ahmeti.
Ndërsa drejtori Arben Vitia tha se Drejtoria e Shëndetësisë u shpreh se janë të përkushtuar që nëpër shkolla të instalohen ose të realizohen kontrolle të rregullta sistematike edhe stomatologjike në mënyrë që të prevenohen problemet eventuale shëndetësore në të ardhmen.
Këto aktivitete të promovimit të shëndetit oral janë organizuar nga shërbimi stomatologjik, pranë QKMF – së dhe përkrahur nga Komuna e Prishtinës. Në sheshin “Zahir Pajaziti”, ishin vendosur disa tenda me qëllim të vetëdijesimit dhe shpërndarjes së informacioneve mbi shëndetin oral. Gjithashtu, me rastin e “Ditës botërore për shëndetin oral” janë realizuar edhe vizita edukative – promovuese për shëndetin oral në institucionet shkollore publike dhe organizata joqeveritare.
Po ashtu, me këtë rast Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Komunës së Prishtinës organizoi edhe një program kulturor – artistik.