- 23 Nov 2023
Me ftesë të Përfaqësueses Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Shefes së UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, mori pjesë në Forumin e OKB-së në Kosovë për Ndërtim të Mirëbesimit.
Me këtë rast, Kryetari i Kryeqytetit pati takime të shumta me personalitete nga niveli i lartë ndërkombëtar nga vende të shumta të botës, me të cilët diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si për mbrojtjen e mjedisit, pjesëmarrjes dhe përfshirjes qytetare, mediave dhe luftimit të dezinformatave dhe fuqizimit ekonomik për të mirën e të gjithëve në Prishtinë e Kosovë.
“Ky forum është një rast i rëndësishëm për të diskutuar sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet shoqëria jonë në rrugën drejt një mirëqenieje të përbashkët dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ndërtimi i besimit ndërmjet komuniteteve është thelbi i një shoqërie të fortë dhe të qëndrueshme. Ndërtimi i mirëbesimit nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por një përpjekje e përbashkët që ka nevojë për pjesëmarrjen e çdo qytetari. Për këtë arsye, inkurajoj të gjithë qytetarët tanë të angazhohen aktivisht në këtë proces” – deklaroi kryetari Rama.
Kryetari Rama po ashtu takoi edhe baroneshën Catherine Ashton, ish-Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian dhe Zëvendës Presidenten e Komisionit Evropian, me të cilën biseduan për pikëpamjet rreth ndërtimit të mirëbesimit.