- 20 Feb 2024
Një hap tepër i rëndësishëm për shëndetin e të çmueshmeve, vajzave tona, ka nisur sot në Kryeqytet.
Në mëngjesin e sotëm, nxënëset e moshës 11 vjeçare, të shkollës Model “Qamil Batalli” në Prishtinë, u vaksinuan me vaksinën Human Papilloma Virus (HPV).
Vaksina HPV ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin e vajzave, duke ofruar një mbrojtje efektive kundër kancerit të qafës së mitrës; një sëmundje që po shfaq një rritje shqetësuese në numrin e rasteve.
Nënkryetarja e Kryeqytetit, Jehona Lushaku Sadriu bashkë me Drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë, Izet Sadiku vizituan shkollën "Qamil Batalli" ku filloi vaksinimi.
"Fillimi i vaksinimit në moshën 11 vjeçare për vajzat, është zgjedhur për shkak të efektivitetit të saj të lartë në këtë fazë, duke mbrojtur deri në 99% të grave nga ky rrezik në të ardhmen. Ky lajm pozitiv për vaksinimin është i rëndësishëm për të gjitha vajzat, duke ofruar mbrojtje të duhur për t’i parandaluar këto sëmundje" - deklaroi nënkryetarja Lushaku.
Vaksinimi me vaksinën HPV do të bëhet në të gjitha shkollat e Kryeqytetit Prishtina.