- 02 Apr 2015
Sot, shkolla “Elena Gjika” shënoi 70 vjetorin e saj. Me këtë rast u prezantua një program kulturor – artistik nga kori i nxënësve të shkollës
Në një fjalë rasti, drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se kjo shkollë për vite me radhë edukoi gjenerata që sot e japin kontributin në sfera të ndryshme.
Njëkohësisht, Nagavci theksoi se Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin me komunitetin e shkollës dhe prindërit me qëllim të përmirësimit të kushteve mësimore, si dhe të ngritjes së cilësisë në procesin e arsimit që është një ndër objektivat kryesore të qeverisjes së kryetarit Shpend Ahmeti.
“Gjithashtu, në ndërtim e sipër është objekti i ri që do të shërbejë si aneks i shkollës Elena Gjika, gjë që do ta zvogëlojë numrin e nxënësve dhe do të mundësojë heqjen e ndërrimit të tretë. Kjo do të përmirësojë kushtet në mësimdhënie dhe mësimnxënie”, tha Nagavci.
Ndërsa, drejtori i shkollës “Elena Gjika”, Osman Vitia tha se kjo shkollë aktualisht ka 1.835 nxënës, të cilët janë të shpërndarë në 61 paralele, ndërsa punojnë 80 arsimtarë në tri ndërrime.
Me rastin e 70 vjetorit të shkollës “Elena Gjika” u ndanë mirënjohje si dhe u përkujtuan edhe mësimdhënësit e parë të kësaj shkolle.