- 07 Jun 2024
Bulevardet dhe sheshet e reja në njërën anë dhe riorganizimin i trafikut në anën tjetër e bëjnë të domosdoshëm eliminimin e pikave të konfliktit midis këmbësorëve dhe makinave. Për këtë arsye, Kryeqyteti po ndërton nënkalime për makina dhe mbikalime për këmbësorë.
Mbikalimet që lidhin mbi 50 mijë banorë të kryeqytetit në këmbë, janë të një rëndësie të veçantë. Ai që nis në lagjen "Arbëria" dhe përfundon tek "Pallati i Rinisë" dhe që më tepër se mbikalim është një platformë shumëfunksionale ku ndërthuren shtigjet për këmbësorë, ato për biçikleta, parqet dhe hapësirat e gjelbra, përfundi të cilit kemi krijuar disa mijëra metra katror hapësira afariste, për ta bërë të vetqëndrueshëm, shpejt do të dalë në tender publik.
Përmes pasarelës, që e lidh "Pallatin e Rinisë" me Hotelin Grand, një projekt i vjetër, të cilin nga tavolina e punës po bëhemi gati që ta bëjmë realitet, krijohet një tjetër lidhje me Bulevardin Qendror.
Ngjashëm edhe përmes mbikalimit në "Aktash", platformë që do t’u shërbejë si park banorëve të asaj zone, si një amfiteatër i hapur studentëve të fakulteteve dhe si lidhje e mbi 25 mijë banorëve të lagjes me qendrën e qytetit. Këto janë urat drejt të ardhmes. Drejt Prishtinës të së ardhmes.