- 05 Jun 2015
Konkursi “Përralla më e mirë për Prishtinën” që u realizua sivjet për herë të parë në kuadër të kampanjës “Prishtina lexon” ka gëzuar më së shumti dy fitueset kryesore, Jora Zenelin nga shkolla “Meto Bajraktari” me përrallën “Ëndrra e Leonit” dhe Edlirë Malokun me përrallën “Prej nga rrjedh emri Prishtinë” nga shkolla “Hasan Prishtina”.
Jora është shpallur fituese e kategorisë deri në moshën 11 vjet me përrallën “Ëndrra e Leonit” ndërsa Edlira nga shkolla “Hasan Prishtina” është fituese për grupmoshën deri në 16 vjet me përrallën “Prej nga rrjedh emri Prishtinë”.
Në një ceremoni ku nuk munguan as prindërit dhe mësimdhënësit e nxënësve që hynë në garë të ngushtë për t’u shpallur fitues të kësaj gare, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha me pak fjalë se kjo ditë është dita e fëmijëve dhe se atyre iu takojnë të gjitha meritat për zellin dhe imagjinatën e tyre. Ahmeti tha se në Prishtinë ka fëmijë të jashtëzakonshëm të cilët vetëm duhet përkrahur. Ndërsa, drejtoreshat Arbërie Nagavci dhe Saranda Bogujevci thanë se aktivitete të tilla do të mbështeten në vazhdimësi nga Drejtoria e Arsimit, përkatësisht Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, madje ato i informuan nxënësit se së shpejti do të botohen edhe një libër me 30 përrallat më të mira të këtij edicioni.
Fituesit për grupmoshat 7 – 11 vjeç
Vendi i I – rë: “Ëndrra e Leonit”, Jora Zeneli, shkolla Meto Bajraktari
Vendi i II – të: “1 Qershori”, Aniset Cej, shkolla “Elena Gjika”
Vendi i III – të: “Vendi i harruar”, Rrona Xhaferi, shkolla “Xhemajl Mustafa”
Fituesit për grupmoshat 12 – 16 vjeç
Vendi i I – rë: “Prej nga rrjedh emri Prishtinë”, Edlirë Maloku, shkolla “Hasan Prishtina”
Vendi i II – të: “Përrallë për Prishtinën”, Rea Gërvalla nga shkolla “Nazim Gafurri
Vendi i III – të: “Flutura e Dëshirave”, Elma Krasniqi nga shkolla “Xhavit Ahmeti”.
Pjesë e jurisë ishin: Shqiponjë Kamberi, Jehona Xhafer, Sylejman Pireva, Bora Shpuza – Kasapolli, Hidajete Hoxha, Agime Rukovci.
Përrallat fituese do të publikohen në gazetën “Koha Ditore”. Fituesit janë shpërblyer edhe me një shumë solide të hollash për të blerë libra, si dhe të ndjekin kurse falas për një cikël në gjuhën angleze në “Neë Age School”, ndërsa Edlirë Malokut ka fituar edhe të drejtën e botimit të një libri.