Komuna e Prishtinës mbajti punëtori me qytetarë për Planin Rregullues Urban për zonën Mati 1

- 05 Jun 2015

Komuna e Prishtines ka aprovuar Planin Rregullues Urban për zonën Mati 1 të vitit 2010. Procesi i zbatimit të këtij plani është dëshmuar të jetë mjaft sfidues, prandaj Komuna e mbështetur nga organizata CHëB- Trashëgimia kulturore pa Kufij, ka iniciuar një proces të konsultimit me komunitetin e lagjes, për të identifikuar çështjet kyçe që janë identifikuar si pengesë në zbatimin e planit. Organizimi i procesit të konsultimeve ka filluar në muajin janar dhe aktivitetet e parapara me publikun do të vazhdojnë deri në muajin korrik.

Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUNMM) është e përkushtuar të bashkëpunoj ngushtë me të gjitha palët e interesuara gjatë implementimit të këtij plani, duke promovuar në këtë mënyrë një bashkëpunim të mirëfilltë me qytetarët gjatë këtij procesi. Qëllimi i kësaj punëtorie është njoftimi i pjesëmarrësve me rezultatet e hulumtimit të zhvilluar në lidhje me implementimin e planit rregullues “Mati 1”, si dhe përcaktimi në hapësirë i problemeve të identifikuara nga qytetarët.

Në punëtori morën pjesë një numër i konsiderueshëm qytetaresh, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës: Gyler Mydyti, Florim Krasniqi si dhe zyrtarë të tjerë të cilët ndihmonin qytetaret në sqarimin e problemeve dhe brengave të tyre sa i përket problematikave të lagjes. Të pranishëm në këtë punëtori ishin edhe Rudina Qerimi dhe përfaqësues të tjerë nga CHëB, Vjollca Puka nga MMPH, Hanife Limani nga USAID, dhe përfaqësues të bizneseve, kryesisht ndërtimore.

Punëtoria filloi me një prezantim nga përfaqësues të DUNMM-së, të cilët shpjeguan Planin Rregullues Urban dhe Planin Zhvillimorë Urban si dhe sfidat rreth harmonizimit të të dy planeve, si dhe mënyra e zgjidhjes së problemeve që hasin qytetarët e kësaj lagje.
Nga prezantimi i pytësorit të bërë nga CHëB-ja mbi Planin Rregullues Urban ne zonën Mati 1 u sqarua gjendja reale rreth pjesëmarrjes së qytetarëve në planifikimin e lagjes si dhe informimi i tyre para planifikimit të PRrU-se. Sipas pytësorit 99.5 % të qytetarëve nuk kanë qenë në dijeni gjatë hartimit të PRrU-se si dhe 82% as nuk janë në dijeni rreth përmbajtjes së këtij plani. Sa i përket problemeve të cilat hasin qytetarët në këtë zonë rezulton të jenë rrugët me 29.80%, trotuatët 7.48%, kanalizimi 7.24%, papastërtia 7.24%, 7% ndërtimi i lartë si dhe 5.10% parking. Ndërsa kur janë pyetur se me çfarë parakushtesh do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës në lagjen e tyre 40% e tyre do të kontribuojnë vetëm nëse komuna mbulon pjesën më të madhe të shpenzimeve dhe 13% nuk kishin parakushte.

Punëtoria përbëhej prej 5 grupeve punuese të cilët në konsultim me nga një zyrtarë nga DUNMM-ja i shpalosën sfidat dhe problemet e lagjes duke I prezantuar më pas para të gjitha grupeve në mënyrë të diskutimit gjithëpërfshirës. Si rezultat final brenga kryesore e qytetareve është PRru-ja e cila nuk përshtatet me kërkesat dhe interesat e banorëve. Koeficientët, infrastruktura, legalizimi, parkingjet, institucionet arsimore ishin ndër problemet kryesore që u konstatuan në këtë punëtori. Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe problemet individuale rreth shpronësimit të pronave.