Data 11 qershor 2015, afati i fundit për regjistrimin e objekteve pa leje

- 08 Jun 2015

Pasi që edhe më tutje është i madh numri i qytetarëve që regjistrojnë objektet e tyre pa leje në Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit – sektori i legalizimeve, Komuna e Prishtinës informon opinionin se aktualisht është duke bërë regjistrimin e ndërtimeve pa leje, të cilat janë ndërtuar para datës 30 gusht 2013. Kjo është faza e parë e procesit të legalizimit.
 
Deri më tani janë regjistruar rreth 46.000 ndërtime pa leje, ndërsa janë identifikuar 1.297 ndërtime me leje.
 
Risjellim në vëmendje se afati i fundit për regjistrimin e ndërtimeve pa leje është data 11 qershor 2015. Objektet pa leje të cilat do të regjistrohen do të kualifikohen në fazat e mëtutjeshme për aplikim për legalizim.
 
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe të regjistrimit të objekteve të ndërtimeve pa leje, Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit përmes ekipeve që kanë punuar në terren
ka bërë regjistrimin e ndërtimeve pa leje në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, duke i regjistruar më shumë se 2.000 ndërtime pa leje veçanërisht në zonat rurale të Komunës së Prishtinës.
 
Regjistrimi i ndërtimit pa leje është faza e parë e procesit të legalizimit e cila ju mundëson që ndërtimi i juaj të futet në regjistrin e ndërtimeve pa leje si dhe kualifikoheni për fazën e dytë, e cila është aplikimi për legalizimin e ndërtimit pa leje. Respektivisht, përmes regjistrimit, ju i hapni rrugë procesit të legalizimit të ndërtimit tuaj.