Problemi i kanalizimeve në lagjen Kodra e Trimave do të zgjidhet brenda vitit , banorët me ankesa të shumta për ujësjellësin regjional “KUR Prishtina”

- 08 Jun 2015

Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi mbajti takim me banorët e lagjes Kodra e Trimave ku u diskutua lidhur me disa probleme më të theksuara që i kanë qytetarët e kësaj ane.

Derisa më parë problem kryesor i banorëve të kësaj lagjeje ishte trajtimi i ujërave të zeza, tani një ndër problemet kryesore të kësaj lagjeje, sipas banorëve, është problemi me mbeturina inerte dhe të amvisërisë, si dhe furnizimi me ujë të pijshëm. Ata, gjithashtu, kërkuan që disa rrugica të kësaj lagjeje të shtrohen me kubëza.

Drejtori Durmishi i njoftoi të pranishmit se Drejtoria e Inspekcionit ka ndërmarrë aksion për largimin e mbeturinave inerte si dhe revitalizimin e hapësirave, duke i shndërruar ato në parqe dhe sipërfaqe të gjelbëruara, siç është edhe rasti në Arbëri, ku paralelisht me ndërtimin e rrugës është duke u ndërtuar edhe parku. Sa i përket shtrimit të rrugëve me kubëza dhe zgjerimit të trotuareve, si një zgjidhje e përkohshme deri në revidimin e planit rregullues për këtë lagje, drejtori Durmishi tha se në rastet kur ekziston gatishmëria e banorëve për të bashkëpunuar të gjitha rrugët e nevojshme për këtë lagje do të shtrohen në kubëza. Lidhur me problemin e furnizimit të banorëve të kësaj ane me ujë të pijshëm, drejtori Durmishi tha se Komuna në vazhdimësi është duke i bërë presion kompanisë regjionale “KUR Prishtina” dhe në mungesë të kompetencave për të bërë më shumë, shpeshherë vetë Komuna detyrohet që t’i zgjidh problemet e banorëve që kanë me ujë si pasojë e neglizhencës së autoriteteve përkatëse.

Drejtori Hysen Durmishi tha se shumica e kërkesave që kanë banorët e një lagjeje të caktuara, përcillet përmes Bashkësive Lokale por edhe nga vetë qytetarët e organizuar deri në drejtoritë përkatëse, të cilat shqyrtohen e më pas nga drejtoritë.
“Kur e kemi filluar qeverisjen në Komunën e Prishtinës, para më shumë se një viti, një prej problemeve të para me të cilat unë jam marr si drejtor ka qenë problemi shumë i madh me kanalizimin pikërisht këtu tek shkolla “Hilmi Rakovica” dhe me rrugën që ndodhet këtu – rruga e Vlorës. Një prej vizitave të para në terren ka qenë në këtë lokacion dhe isha i skandalizuar me gjendjen këtu, një moçal i kanalizimit, një gjendje tepër e keqe që e kam hasur. Dhe një prej projekteve të para që kemi filluar ka qenë përmirësimi i gjendjes së kanalizimeve në këtë zonë, gjë që fatmirësisht është përmirësuar”, tha Durmishi, i cili i tha se problemet me kanalizimin për tërë lagjen e Kodrës së Trimave do të zgjidhen përmes projekteve të cilat tashmë janë duke u realizuar, siç është ndërtimi i kolektorit në Shkabaj. Durmishi tha se problemet me kanalizimet do të trajtohen në tërësi si zonë dhe se në të ardhmen kjo lagje nuk do të ketë problem të tilla.
 
Shqetësim tjetër i banorëve të lagjes Kodra e Trimave ishte mos emërtimi i disa rrugëve, ndërsa të rinjtë e pranishëm kërkuan që të shqyrtohet edhe mundësia e ndërtimit të një Qendra Kulturore dhe Rinore për banorët e kësaj ane. Gjithashtu, ata kërkuan të informohen se në cilën pjesë do të ndërtohet çerdhja në këtë lagje. Drejtori Durmishi tha se këto kërkesa do t’i përcjellë deri tek drejtoritë përkatëse dhe se shumë shpejt banorët do të kenë një përgjigje lidhur me cështjet e parashtruara.

Diskutimi i ardhshëm publik do të mbahet të martën, me datë 9 qershor, në lagjen Veternik ku të pranishëm do të jenë drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Liburn Aliu, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia. Diskutimi publik do të mbahet në shkollën “Afrim Gashi”, në ora 18:00.