- 11 Jun 2015
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me pjesëtarët e ekipit të tij qeverisës me rastin e “Ditës së Çlirimit të Prishtinës” bënë homazhe dhe vendosen kurora lulesh në “Varrezat e dëshmorëve” dhe tek shtatorja e “Zahir Pajazitit”.
“Shfrytëzojë rastin që sot të gjithë qytetarëve të Prishtinës t’iu urojë Ditën e Çlirimit të Prishtinës. Sot, së bashku me shoqatat e dala nga lufta dhe përfaqësuesit e Kuvendit Komunal të Prishtinës të subjekteve të ndryshme politike erdhëm që t’i nderojmë ata që dhanë gjënë më të shtrenjtë – jetën e tyre, bënë sakrificën më të madhe që ne të jetojmë të lirë”, tha me këtë rast Ahmeti.
Gjithashtu, delegacioni nga Komuna e Prishtinës bëri homazhe edhe para shtatores së “Zahir Pajazitit”, si dhe ishte i pranishëm në zbulimin e pllakës në kujtim të kohës kur filloi punën zyra e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Adem Demaçi.
Një fjalë rasti lidhur me aktivitetin e kësaj zyreje e mbajti Albin Kurti.
“Në këtë shtëpi tejet modeste, me dy dhoma, një paradhomë dhe një kthinë është zhvilluar aktiviteti i zyrës së UÇK – së në Prishtinë, përkatësisht, i zyrës së përfaqësuesit të përgjithshëm politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Z. Adem Demaçit. Në këtë ndërtesë të vogël është bërë mbrojtja më e madhe e luftës së UÇK – së si askund tjetër dhe nga askush tjetër sikurse nga z. Demaçi. Baca Adem së bashku me ne që e ndihmuam dhe e përkrahëm në atë kohë, qoftë duke punuar tërë kohën në zyre, qoftë nga qytetarët, këshilltarët dhe veprimtarët e ndryshëm që i merrnin në këtë zyre detyrat nga baca Adem i dha një hov të jashtëzakonshëm UÇK – së”, tha me këtë rast, Albin Kurti.
Kurti tha se kjo zyre u hap në kohët më kritike për UÇK – në, gjatë vitit 1998/99 e mbrojti të drejtën për liri dhe çlirim të popullit shqiptar dhe e mbrojti luftën çlirimtare, bartëse e së cilës ishte UÇK – ja.
Kryetari Shpend Ahmeti njoftoi se për shkaqe shëndetësore z. Adem Demaçi nuk mund të ishte i pranishëm në zbulimin e kësaj pllake.