- 15 Jun 2015
Komuna e Prishtinës ka aprovuar Planin Rregullues Urban për lagjen “Pejton” të vitit 2011. Procesi i zbatimit të këtij plani është dëshmuar të jetë mjaftë sfidues, prandaj Komuna e mbështetur nga organizata CHwB – Trashëgimia Kulturore pa Kufij, ka iniciuar një proces të konsultimit me komunitetin e lagjes për të identifikuar çështjet kyçe që janë identifikuar si pengesë në zbatimin e planit. Organizimi i procesit të konsultimeve ka filluar në muajin janar dhe aktivitetet e parapara me publikun do të vazhdojnë deri në muajin korrik.
Punëtoria filloi me një prezantim nga përfaqësues të DUNMM-së, të cilët shpjeguan Planin Rregullues Urban (PRrU) dhe Planin Zhvillimor Urban (PZHU) si dhe sfidat rreth harmonizimit të të dy planeve, si dhe mënyra e zgjidhjes së problemeve që hasin qytetarët e kësaj lagje.
Nga prezantimi i pyetësorit të bërë nga CHwB-ja mbi Planin Rregullues Urban në lagjen “Pejton” u sqarua gjendja reale rreth pjesëmarrjes së qytetarëve në planifikimin e lagjes si dhe informimi i tyre në planifikimin e lagjes. Sipas pyetësorit, 74% të qytetarëve nuk kanë qenë në dijeni gjatë hartimit të PRrU-së si dhe 50% as nuk janë në dijeni rreth përmbajtjes së këtij plani. Sa i përket problemeve të cilat hasin qytetarët në këtë zonë rezulton të jenë trotuaret 19.05%, uji 19.05%, mbeturinat 14.29%, gjelbërimi 13.33% si dhe 49.52% parking. Ndërsa kur janë pyetur se me çfarë parakushtesh do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës në lagjen e tyre, 43% e tyre kontributin e ndërlidhnin me angazhimin edhe të të tjerëve, ndërsa 19% nuk kishin parakushte.
Punëtoria përbëhej prej 5 grupeve punuese të cilët në konsultim me nga një zyrtarë nga DUNMM-ja i shpalosën sfidat dhe problemet e lagjes duke i prezantuar më pas para të gjitha grupeve në mënyrë të diskutimit gjithëpërfshirës. Si rezultat përfundimtar, brenga kryesore e qytetarëve është PRrU-ja e cila nuk përshtatet me kërkesat dhe interesat e banorëve. Koeficientet, infrastruktura, legalizimi, parkingjet, institucionet arsimore ishin ndër problemet kryesore që u konstatuan në këtë punëtori. Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe problemet individuale rreth shpronësimit të pronave.
Në punëtori morën pjesë një numër i konsiderueshëm qytetarësh, si dhe përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, Gyler Mydyti, Florim Krasniqi si dhe zyrtarë të tjerë të cilët ndihmonin qytetarët në sqarimin e problemeve dhe brengave të tyre sa i përket problematikave të lagjes. Të pranishëm në këtë punëtori ishin edhe Rudina Qerimi dhe përfaqësues të tjerë nga CHwB Vjollca Puka nga MMPH, Hanife Limani nga USAID, dhe përfaqësues të bizneseve, kryesisht ndërtimore.