- 17 Jun 2015
Komuna e Prishtinës është e vendosur dhe e përkushtuar që të parandalojë dhe të rrënojë të gjitha objektet në të cilat konstatohet se ka shkelje të rregullave dhe ligjeve në fuqi.
Drejtoria e Inspekcionit sot ka vazhduar me aksionin për rrënimin e objekteve pa leje në tre raste të ndara, në lagje të ndryshme të kryeqytetit. Pasi që disa herë më radhë Drejtoria e Inspekcionit ka kërkuar nga palët që të ndërpresin punimet dhe t’i rikthejnë objektet në gjendjen e mëparshme, sot inspektorët kanë dalë në aksion me vendim të rrënimit dhe të rikthimit në gjendje të mëparshme të objekteve në të cilat është intervenuar pa leje.
Megjithatë, kompania e cila ka bërë tejkalime, pas verifikimit dhe vendimit për rrenim të inspektoratit, ka filluar vet t’i rrënojë pjesët e tejkaluara.
Po ashtu, ka përfunduar me sukses aksioni i sotshëm për heqjen e vitrinave në banesat të cilat kundërligjshëm është tentuar që të shndërrohen në lokale afariste. Duke e parë vendosmërinë e ismpektoriatit komunal për të vendosur rend dhe ligj, palët pranuan që ta kthejnë hapësirën në gjendje të mëparshme duke i larguar vitrinat, ndërsa brenda 24 orëve duhet ta ndërtojnë murin dhe ta kthejnë sipërfaqen në gjendjen e mëparshme. I tërë ky intervenim është bërë në mbikëqyrje të inspektorëve komunal.
Njëkohësisht, Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës ka vazhduar edhe me aksionin për rrënimin e objekteve të braktisura që paraqesin rrezik për qytetarët, ndërsa sot ka arritur në 100 numri i gërmadhave të pastruara.