- 19 Jun 2015
Komuna e Prishtinës organizoi diskutim publik me banorët e fshatit Barilevë në të cilin u diskutua për projekte të veçanta zhvillimore ekonomike, duke përfshirë infrastrukturën rrugore, rrjetin e kanalizimit në lagje të ndryshme, ndriçimin dhe investime të ndryshme për të cilat kanë nevojë banorët e këtij fshati.
I pranishëm në këtë diskutim publik ishte drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla i cili tha se potencialet për zhvillimin e bujqësisë në fshatrat e Komunës së Prishtinës janë shumë të mëdha.
“Ju e keni parë edhe vetë se ne po mundohemi në vazhdimësi që gropën e madhe, moçalin i cili është formuar me vite, ta stabilizojmë në mënyrë që ta mbyllim dhe revitalizojmë këtë hapësirë. Po ashtu, kemi filluar edhe pastrimin e parcelave tek “lagjja e Kurtollëve”, në përfundim e sipër është rrethimi i varrezave. E dimë se ka mungesë të hapësirës për varret e reja, me kërkesë të banorëve dhe pëlqim të asamblesë janë kryer të gjitha procedurat dhe së shpejti kompania e kontraktuar do të fillojë punën dhe Barileva do të bëhet edhe me varreza të reja”, tha Sveçla.
Njëkohësisht, drejtori Xhelal Sveçla i informoi edhe për disa projekte infrastrukturore të cilat janë në fazë të tenderimit, si dhe për disa projekte të tjera të veçanta të cilat janë planifikuar që të realizohen gjatë viteve të ardhshme. Në këtë drejtim, Sveçla përmendi edhe përgatitjen e tenderit për rrugën kryesore në vlerë prej 1 milionë euro. Po ashtu, në realizim e sipër është kanalizimi në “lagjen e Xhafollëve”, ndërsa është nënshkruar kontrata dhe brenda disa ditëve fillojnë punimet në ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në “lagjen e Llumnicëve”.
Gjithashtu, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Komunën e Obiliqit dhe ujësjellësin “KUR Prishtina” janë duke i realizuar edhe disa projekte infrastrukturor që përfshijnë një pjesë të fshatit Barilevë dhe një pjesë të territorit të Komunës së Obiliqit.