Kryetari Ahmeti vizitoi punimet në platonë e “Kurrizit”, në lagjen “Dardania”

- 24 Jun 2015

Lagjja “Dardania” ka filluar të merr një pamje tjetër. Pas fillimit të revitalizimit të hapësirës që do të shndërrohet në park prapa përmendores së Bill Klintonit si dhe pas fillimit të punimeve në platonë afër PTK – së, dhe në platonë që ndodhet afër çerdhes “Lulevera”, ka filluar së realizuari edhe projekti i rigjenerimit të platosë në “Kurriz”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi vizituan punimet që janë duke u zhvilluar në këtë plato.

 

Kryetari Ahmeti tha se vlera e këtij projekti është 997 mijë euro, ndërsa projekti në tërësi parashihet të ndërtohen brenda afatit prej 180 ditë pune.

“Në bisedime edhe me kompaninë, jam optimist se punimet do të zhvillohen edhe më shpejtë. Në realizimin e këtij projekti parashihet ndërrimi komplet i të gjitha pllakave të cilave qëmoti iu ka kaluar afati i përdorimit, si dhe mbi platonë në “Kurriz” do të shtohen hapësirat gjelbëruese. Nësë i kemi parasysh punimet në këtë plato, të platosë mbrapa Postës dhe platoja tek çerdhja “Lulevera”, e po ashtu edhe rigjenerimit e parkut të lagjes “Dardania”, atëherë mund të themi se kjo pjesë e kryeqytetit do të rigjenerohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha kryetari Ahmeti.

 

Gjithashtu, Ahmeti tha se do të bëhet zgjidhje edhe në kërkesat e atyre banorëve që janë të brengosur për zaptimin e hapësirave publike, duke thënë se kjo çështje do të rregullohet një herë e përgjithmonë, pasi që në këtë projekt është e paraparë edhe se cila pjesë mund të jepet në shfrytëzim.

 

Hysen Durmishi, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës tha se përveç ndërrimit të pllakave, në këtë plato do të rregullohet të gjitha shtresat e izolimeve.

“Do të punohet sipas standardeve më të larta, ndërsa do të vendosen pllaka të kualitetit shumë të lartë. Edhe ky projekt, si të gjitha projektet e tjera, do të mbikëqyret në mënyrë strikte në secilin pozicion gjatë fazës së realizimit në mënyrë që kualiteti të jetë i garantuar që kjo të jetë një plato shumë e bukur, me hapësira të gjelbra, por njëkohësisht të jetë shumë kualitative”, tha Durmishi.

Punimet në platonë në “Kurriz” është duke i kryer kompania “Rexha” SH.P.K