- 01 Jul 2015
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtori i Drejtorisë së Administratës, Muhedin Nushi, i cili është edhe anëtarë i komisionit të aksionarëve në Stacionin e Autobusëve, Bordi i Drejtorëve si dhe udhëheqësi ekzekutiv i këtij stacioni ishin të pranishëm në promovimin e punës së laurave digjitale dhe biletës digjitale.
“Me këtë sistem, të gjitha ata të cilët e kanë pagesën mujore dhe ata që i kryejnë shërbimet brenda stacionit, sistemi i pranon në mënyrë automatike dhe hapet me automatizëm laura, pas leximit të tabelave të regjistrimit. Kemi edhe formën e dytë për persona që duan të kryejnë shërbime vetanake brenda stacionit, fillimisht e marrin tiketën, më pas lejohen për të hyrë brenda, ndërsa pagesa bëhet në shalterin nr. 2. Kjo është faza fillestare e digjitalizimit të stacionit të autobusëve duke pasur parasysh se në të ardhmen do të bëhet digjitalizimi i të gjitha shërbimeve në stacion”, tha udhëheqësi ekzekutiv i stacionit të autobusëve, Nol Dedaj.
Kryetari Ahmeti tha se përmes digjitalizimit do të lehtësohet puna, por efekti kryesor ka të bëjë me rritjen e transparencës dhe rritjen e të hyrave në stacionin e autobusëve.
“Kjo do të thotë që ky digjitalizim e pamundëson vendimin arbitrar të individëve për të treguar se kush mund të hyjë, e kush jo. D.m.th, një autobus i cili nuk është i regjistruar dhe që nuk ka marrëveshje me stacionin e autobusëve, nuk mund të hyjë në stacion pa e bërë pagesën dhe për këtë nuk mund të vendos asnjë person që punon në laurë, e i cili mund ta ketë lëshuar më parë për shkaqe të presionit. Me reformat që po bëhen edhe sa i përket sistemit të pagesave dhe investimet të cilat janë paraparë me planin e biznesit do ta rrisin dukshëm cilësinë e shërbimeve në këtë stacion”, tha Ahmeti.
Kryetari Ahmeti tha se në të ardhmen planifikohet edhe ndërlidhja e stacionit të autobusëve me trafikun urban, respektivisht stacioni i autobusëve do të jetë qendra e të gjithë transportit publik në Prishtinë. Sipas tij, është koha që Prishtina të ketë një stacion shumë më modern dhe me shërbime shumë më të avancuara.
Gjithashtu, tashmë udhëtarët pajisen me biletën e re elektronike e cila i ka disa masa mbrojtëse.
“Tash e tutje do të dihet saktësisht numri i udhëtarëve në secilin relacion dhe do t’iu bëjmë me dijë autobusëve se nëse nuk blihet bileta në stacion dhe bëhen ndalesa që nuk janë të lejuara, ato do të dënohen. Po ashtu, me këtë rast ne i dimë saktësisht të hyrat sepse kur pagesa bëhet në stacionin e autobusëve, atëherë personi që punon në sportel duhet ta ketë të barazuar shumën që e ka arkëtuar nga shitja e biletave. Është edhe kodi i sigurisë që tregon se bileta është lëshuar nga stacioni dhe mund të verifikohet lehtësisht. Ka edhe masa të tjera që identifikojnë edhe personin që e ka lëshuar biletën dhe me këtë do të përmirësohet dukshëm transparenca dhe të hyrat në stacionin e autobusëve”, tha kryetari Ahmeti.
Projekti për digjitalizimin e sistemit të biletimit dhe i laurave ka vlerën prej 35.000 euro.