- 03 Jul 2015
Mbledhja e gjashtë e Kuvendit të Komunës së Prishtinës është zhvilluar pa praninë e ekzekutivit. Kjo ngaqë kryetari Shpend Ahmeti dhe grupi i ansambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje!, AAK dhe Lëvizja për Bashkim e lëshuan sallën pas votimit të rendit të ri të ditës ku me kërkesë të grupit të PDK’së parashihej heqja e pikave që ndërlidheshin me Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit.
Kryetari Ahmeti kërkoi nga Kuvendi Komunal, përkatësisht nga asamblesitët e LDK – së dhe PDK – së që të mos e bllokojnë punën e Kuvendit, por të punojnë në të mirën e qytetarëve.
“Nuk po lejohet dhënia e pronave në shfrytëzim sipas ligjit për të ndaluar uzurpimet të cilat janë bërë edhe nga ana e disa njerëzve që janë vetë në Kuvendin Komunal këtu dhe po ndalohet zhvillimi i Komunës së Prishtinës me qëllime kryekëput personale dhe politike. Në këto rrethana shihet qartë se ky Kuvend është jo funksional. Ne si ekzekutiv kemi kompetencat tona, ne do të vazhdojmë ta ushtrojmë detyrën tonë si ekzekutiv”, tha Ahmeti, i cili tha se do të vazhdohet me realizimin e të gjitha atyre projekteve që janë të përcaktuara si kompetencë e ekzekutivit.
Pjesë e rendit të ditës të parashtruara nga Drejtoria e Urbanizimit ishin “Propozimvendimi për miratimin - lënie në dispozicion për diskutim publik të Planit rregullues të lagjes "Kalabria"”, “Propozimvendimi për fillimin e ndryshimit dhe plotësimit të Planit rregullues të lagjes "Mati 1”, “Propozimvendimi për dhënien e pëlqimit për ndryshime në infrastrukturë në një pjesë të Planit rregullues të lagjes “Lakërishta” në Prishtinë”.
Po ashtu, LDK dhe PDK kërkuan pa asnjë arsyetim edhe largimin nga rendi i ditës edhe të dy propozimvendimeve të tjera, respektivisht “Propozimvendimi për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatshkurtër” dhe “Propozimvendimi për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë”.
Në këtë mbledhjen nuk u votua as “Propozimvendimi për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim të afatëshkurtër NPL “Hortikultura”.
Seanca vazhdoi me informatën për gjendjen e furnizimit me ujë në Komunën e Prishtinës nga ujësjellësi rajonal KUR Prishtina.