Filloi kampi interaktiv treditor për të rinj në Gërmi

- 24 Jul 2015

Rreth njëzet fëmijë sot ishin pjesëmarrës në kampin intereaktiv i cili është duke u organizuar në Qendrën Rekreative në parkun e Gërmisë. Përzgjedhja e fëmijëve që aplikuan për të qenë pjesë e këtij kampi u bë nga lagje të ndryshme të kryeqytetit, me qëllim që ata të njihen me njëri tjetrin, të shkëmbejnë përvojat e tyre, mirëpo edhe të zhvillojnë aftësitë e tyre që mund të ju shërbejnë në të ardhmen.
 
Këtë  aktivitet të organizuar nga OJQ “Toka” dhe Klubi Alpin “Prishtina”e ka përkrahur Komuna e Prishtinës, duke i dhënë shtëpizat, furnizimin me rrymë e me ujë falas të tyre, si dhe subvencionim direkt të aktivitetit nga Drejtoria e Kulturës.
 
“Gjatë këtyre tre ditëve, me përkrahjen e Komunës së Prishtinës e cila ka qenë shumë e rëndësishme dhe në bashkëpunim me Klubin Alpin Prishtina dhe “World Wide Fund for Nature”, do të realizojmë një program tre ditor përmes së cilit të rinjtë do të mësojnë për natyrën, si të mbijetojnë në natyrë, si ta përdorin kompasin, hartën, si t’ia ofrojnë ndihmën një personi të lënduar, e po ashtu këta fëmijë do ta realizojnë edhe nga një videoincizim lidhur me temën e natyrës”, tha Jehona Gjurgjeala, organizatore e këtij aktiviteti nga OJQ “TOKA”.
 
Ndërsa, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci tha se si qeverisje jemi të përkushtuar që të organizojmë sa më shumë aktivitete për të rinj.
 
“Sivjet për herë të parë do të përdoren edhe shtëpizat në Qendrën Rekreative të Gërmisë, ndërsa do të organizohen edhe aktivitete të shumta për fëmijë dhe do të mundohemi që sa më shumë t’i shfrytëzojmë hapësirat publike për organizime të ndryshme rekreative”, tha Bogujevci.
 
Kampe të tilla do të realizohen edhe në të ardhmen, ndërsa pjesë e tyre do të jenë fëmijë nga lagje të ndryshme të qytetit, të cilët po ashtu do t’i stërvisin shkathtësitë edhe në alpinizëm nën mbikëqyrjen e trajnerëve të Klubit Alpin Prishtina.