- 07 Aug 2015
Sot, Kryetari Shpend Ahmeti, në emër të Komunës së Prishtinës nënshkroi kontratën për financimin e projektit “Fushata për tatimin në pronë të paluajtshme”, me përfaqësuesin e Programit për Decentralizim dhe Përkrahje Komunave (DEMOS), z. Norbert A.E.M. Pijls , program ky i financuar nga Qeveria Zvicerane dhe i zbatuar nga Helvetas Swiss Intercooperation, Fondacioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Ky është njëri nga disa projektet e bashkëfinancuara me programin Demos, që ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për obligimin e tyre ndaj Komunës sa i përket pagesës së tatimit në pronë.
Kontrata parasheh që i gjithë projekti të kushtojë 71,430 euro , nga të cilat 70% do të jenë grant nga Programi Demos, ndërsa 30% të shumës do të jenë financim i Komunës së Prishtinës.
Kryetari Ahmeti u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm me Programin Demos dhe uroi që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.