- 14 Aug 2015
Janë përmbyllur diskutimet publike lidhur me konsultat paraprake publike për rregulloren për rrugët komunale të cilat u realizuan me datë 12, 13 dhe 14 gusht, ndërsa të pranishëm ishim edhe kryetarët e bashkësive lokale, përfaqësues të OJQ – ve dhe qytetarë të interesuar.
Rregullorja për rrugët lokale është hartuar në harmoni me ligjet në fuqi dhe përmes saj rregullohet pozita juridike e rrugëve publike, projektimi, ndërtimi, rikonstruimi, mirëmbajtja, masat mbrojtëse, menaxhimi, financimi, shfrytëzimi dhe mbikëqyrja e rrugëve lokale në Komunën e Prishtinës. Me anë të kësaj rregulloreje është bërë edhe ndarja e kompetencave dhe e përgjegjësive të drejtorive në Komunën e Prishtinës për rrugët lokale.
Me datë 03.07.2015, në Kuvendin Komunal ishte miratuar vendimi për dërgimin e rregullores për rrugët lokale të Komunës së Prishtinës në konsultat paraprake publike.
Me qëllim të mbajtjes së diskutimeve publike rreth kësaj rregulloreje, kryetari i Komunës së Prishtinës, ka marrë vendimin të caktojë komisionin për konsulta paraprake publike i përbërë nga përfaqësues të drejtorive që janë përgjegjëse për zbatimin e kësaj rregulloreje.
Kjo rregullore është përgatitur nga profesionistë të Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe të Drejtorisë së Inspekcionit.
Të pranishmit në diskutimet publike kërkuan më shumë kohë për ta shqyrtuar këtë rregullore dhe më pas propozimet e tyre t’i dërgojnë përmes postës elektronike, ndërsa pati edhe kërkesa që data e diskutimeve të rëndësishme publike të caktohet në ndonjë periudhë tjetër të vitit ku pjesëmarrja dhe interesimi i qytetarëve do të ishte më i madh.