Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje do të amandamentohet

- 27 Aug 2015

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti priti në takim Ministrin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ferid Agani.

Në këtë takim u diskutuan çështje që janë në interes të përbashkët dhe u theksua nevoja e zbatimit të legjislacionit në fuqi, sikundërse u diskutuan edhe metodat më efikase për zbatimin praktik të tyre.
 
“Në vazhdën e takimeve të rregullta që i kemi me MMPH, z. Agani, edhe në këtë takim diskutuam çështjet e hapura që e ndërlidhin punën e Komunës me atë të Ministrisë për shkak se një pjesë e madhe e punës ka të bëjë me  çështjen e ndërtimit, planifikimit. Mes të tjerash diskutuam për vazhdën e procesit të legalizimit pasi që në shtator na pret një punë e madhe, e cila mendojë se do të zgjasë si proces mbase edhe tre vite pasi që duhet të procedohen 46 mijë aplikime për legalizim që janë në Komunën e Prishtinës. Diskutuam edhe për ligjin për banimin e përbashkët, i cili deri më tani thuajse asnjëherë nuk është implementuar në komunat e Kosovës dhe vënien në zbatim të këtij ligji”, tha kryetari Ahmeti. 
 
Ministri Ferid Agani tha se këto janë takime përmbajtësore dhe se një bashkëpunim i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
 
“Në këtë takim diskutuam edhe për disa tema që janë me rëndësi për Komunën e Prishtinës, siç është tema e kompensimeve të shpronësimeve të tokave publike të Komunës së Prishtinës. Në anën tjetër i diskutuam edhe disa aspekte të tjera që kanë të bëjnë me çështjet e planifikimit hapësinor dhe zgjidhjen e disa problemeve konkrete të qytetarëve në pjesë të ndryshme të qytetit. Ministria do të bashkëpunojë ngushtë me Komunën e Prishtinës edhe në kuadër të grupit të përbashkët që e kemi formuar me Asociacionin e Komunave të Kosovës”, tha Agani.
 
Ministri Agani, po ashtu, bëri të ditur se në shtator pritet të fillojë procesi i pranimit të aplikacioneve për legalizim, ndërsa paralajmëroi edhe amandamentimin e ligjit i cili i trajtohen ndërtimet pa leje ngaqë sipas tij parashihen afate kohore të cilat nuk përkojnë me gjendjen faktike pas publikimit të regjistrit shtetëror të ndërtimeve pa leje.