Komunikatë

- 29 Aug 2015

Komuna e Prishtinës shpreh shqetësimin për dhunën që e ushtruan dy policë civil mbi punëtorin e Komunës së Prishtinës, Salih Zyba. Me pretekstin se një qytetar ka lajmëruar për hedhjen e një gjësendi në oborrin e Komunës së Prishtinës, dy policë civil pa poseduar asnjë lloj urdhërese të organeve të prokurorisë dhe as edhe ndonjë dokument tjetër që do ta legjitimonte veprimin e tyre, kanë hyrë brenda komunës.  Sigurimi i komunës ka kërkuar t’i identifikojë dhe ta kërkojë arsyen e hyrjes së tyre në komunë. Duke mos pranuar t’i përgjigjen pyetjeve, civilët kanë filluar ta godasin punëtorin e Komunës së Prishtinës duke i shkaktuar lëndime serioze dhe në gjendje të tillë edhe e kanë arrestuar. Kjo sjellje e policisë është e dokumentuar edhe në xhirimet e Komunës së Prishtinës, mirëpo këtë gjë e konfirmojnë edhe dëshmitë e dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, punëtorët e sigurimit të Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës i bën thirrje Inspektoratit të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që menjëherë të fillojë hetimet lidhur me sjelljet e këtyre dy zyrtarëve policor. Inspektorati i Policisë ka qasje edhe në thirrjet e qytetarëve dhe lehtësisht mund ta verifikojë nëse ka pasur ndonjë thirrje nga ndonjë qytetarë apo thjeshtë kanë ardhur aty me urdhër të ndonjë personi të caktuar.

Nëse nuk merren këto veprime nga ana e Inspektoratit Policisë së Kosovës, atëherë është e qartë se individë që veprojnë në kuadër të saj kanë filluar të veprojnë për interesa të ngushta e në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Komuna e Prishtinës informon opinionin se pas kësaj ngjarje, policia me urdhër të prokurorisë ka ardhur në Komunë të Prishtinës për t’i marrë incizimet e kërkuara nga prokurori në lidhje me incidente të tjera dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjë problem.