Përfunduan diskutimet publike për buxhetin e vitit 2016

- 30 Aug 2015

Komuna e Prishtinës ka përmbyllur serinë e diskutimeve publike buxhetore në të cilat ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që kontribuuan me idetë e tyre lidhur me buxhetin e vitit 2016.  Përveç dy dëgjimeve të përgjithshme që u organizuan, një në fillim dhe një në fund, qytetarët patën rastin të marrin pjesë edhe në 7 dëgjime për fusha specifike, siç janë: Shërbimet Publike, Infrastruktura Lokale, Zhvillimi Ekonomik, Urbanizmi, Kadastri, Arsimi, Shëndetësia dhe Kultura e Sporti.

Në diskutimin publik për angazhimet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, të pranishmit patë rast që të informohen se buxheti i kësaj drejtorie për vitin 2015 ka qenë 6.290.000 euro, ndërsa në pjesën e parë të vitit është realizuar 48 % e buxhetit. Disa nga projektet kryesore të realizuara nga kjo drejtori janë zgjerimi dhe modernizimi i ndriçimit publik, semaforët në fazë të projektimit, rregullimi i sipërfaqeve gjelbëruese, hapja e 16 puesve dhe ndërtimi i sistemit të ujitjes për gjelbërim, mbjellja e fidaneve, pastrimi shtartit të lumenjve, mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve, etj.

Sa i përket investimeve infrastrukturore, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, i njoftoi qytetarët e interesuar se aktualisht në fazë të realizimit janë rreth
80 projekte të ndryshme, ndërsa buxheti i kësaj drejtorie është 18 milionë euro. Po ashtu, ai vecoi edhe punët që janë duke u kryer në disa plato në lagje të ndryshme.
Në kërkesat e qytetarëve për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në zona të ndryshme të kryeqytetit, Durmishi bëri të ditur se prioritet i Komunës së Prishtinës është ndërtimi i rrugës “A” dhe kolektori.

Sa i përket angazhimeve të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale,
njëjtë si edhe gjatë vitit 2015, u kërkua që të vazhdohet me renovimin dhe modernizimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare. Drejtori i kësaj drejtorie, Arben Vitia tha se rëndësi të veçantë do t’i kushtohet trajnimeve profesionale me qëllim të përmirësimit të shërbimeve, si dhe evaluimit të punës së stafit me qëllim të përmirësimit edhe të mëtutjeshëm të performancës së tyre.

Në diskutimin publik lidhur me aktivitetet kulturore dhe sportive në qytet, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit planifikon aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, si dhe një prej prioriteteve do të jetë krijimi i hapësirës për inkuadrimin e të rinjve, stabiliteti financiar për institucionet kulturore. Drejtoresha e kësaj drejtorie, Saranda Bogujevci bëri të ditur se planifikohen këndet e lodrave, fushat sportive si dhe pasurimi i bibliotekave të institucioneve kulturore.

Një prej kërkesave kryesore në diskutimin publik të organizuar me Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit ishin hartat zonale.
Qytetarët kanë insistuar tek drejtori Liburn Aliu që në buxhetin e vitit 2016 të ndahet medoemos buxheti për hartat zonale me qëllim që të bëhen ndryshimet e nevojshme  në Planin Zhvillimor Urban, ndaj të cilit patën shumë pakënaqësi.

Sa i përket diskutimit publik lidhur me aktivitetet dhe punën e Drejtorisë së Arsimit, qytetarët kërkuan të vendosen pengesa në rrugët ku ndodhen institucionet arsimore me qëllim të ngritjes së sigurisë së nxënësve. Gjatë këtij takimi pati kërkesa të shumta për hapjen e institucioneve të reja parashkollore. Nga drejtoresha Arbërie Nagavi ata u informuan se do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016 investimi në infrastrukturën shkollore, veçanërisht në sallat sportive. Nagavci i njoftoi se gjithashtu planifikohet ndërtimi i disa shkollave, në lagjet “Sofali”, “Kalabri”, “Veternik”, “Mat”, etj.

Në këto diskutime publike, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend i njoftoi qytetarët se është duke u punuar në projekte konkrete, që do t’i akomodonin nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Ai i përmendi projektin e mobilitetit të qytetit dhe transportin publik, rregullimin e infrastrukturës së kanalizimit të qytetit dhe ndërtimin e kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj, ku Komuna po merr pjesë me 5 milionë euro investime, zgjerimin e rrjetit të ngrohjes nga Termokosi, në 130 mijë MW energji termike, e mjaftueshme për 60 mijë banorë etj.

Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2016 planifikohet të jetë 65 milionë euro.