- 02 Sep 2015
Hapësirat e pashfrytëzuara dhe ato që ishin lënë në harresë institucionale ndërkohë që ishin shndërruar në strehë të keqbërësve të ndryshëm, së shpejti do të shndërrohen në hapësira që do t’i plotësojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.
Zyrtarët e Komunës së Prishtinës, bashkë me përfaqësuesit e “UN Habitat”, në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar kohë më parë, sot shpalosën projektin “Bllok pas blloku” që do të realizohet me banorët e lagjes “Bregu i Diellit.
Xhevdet Pozhari, zyrtar për informim në Komunën e Prishtinës tha se një prej zotimeve kryesore është vendimmarrja e përbashkët ku qytetarët do të jenë akterë të drejtpërdrejtë me qëllim që Komuna e Prishtinës të jetë një qytet që do t’i plotësonte nevojat dhe kërkesat e banorëve të saj.
“Në këtë kuptim, edhe projekti që do ta realizojmë së bashku me UN Habitatin do të jetë shpërfaqje e konceptit të banorëve të asaj lagjeje lidhur me hapësirat e pashfrytëzuara që janë identifikuar dhe do të revitalizohen”, tha Pozhari.
Pozhari bëri të ditur se fillimisht do të projektohet hapësira që ndodhet në lagjen “Bregu i Diellit” ku kohë më parë nga Drejtoria e Inspekcionit ishin larguar objektet e montuara dhe disa ndërtime të përkohshme që ishin të parapara të shërbenin në funksion të tregut. Hapësirë kjo e cila në të kaluarën ishte shndërruar në strehë të keqbërësve. Ai tha se Komuna e Prishtinës projekte të ngjashme planifikon të realizojë në shumë lagje të kryeqytetit.
Ndërsa, përfaqësuesi i UN Habitat, Genc Selami njoftoi të pranishmit se nga data 11 – 14 shtator do të mbahet punëtori me banorët e kësaj lagjeje, të cilët përmes programit kompjuterik “Minecraft”, do të dizajnojnë këtë hapësirë, ndërsa projekti final nga kjo punëtori do të prezantohet nga ekspertët e fushës që do ta mbikëqyrin realizimin e këtij projekti. Gjithashtu, ai shpjegoi se tashmë janë kontaktuar banorët e interesuar të lagjes “Bregu i Diellit”, si dhe i informoi të pranishmit se nesër, 3 shtator, në ora 17:00, në kolegjin “Iliria” do të mbahet takimi i parë në të cilin pjesëmarrësit do të njihen me detajet e këtij projekti.
Në këtë konferencë u tha se këto projekte kanë për qëllim përmirësimin e efektivitetit të planifikimit hapësinor, forcimin e bashkëpunimit midis Qeverisë lokale dhe qendrore për çështjet e planifikimit urban, si dhe kapacitetet e ndërtimit të stafit profesional dhe të shoqërisë civile për pjesëmarrje aktive në procesin e planifikimit në të gjitha nivelet.
Projekti final që do të dizajnohet nga kjo punëtori, do të realizohet nga Komuna e Prishtinës dhe UN Habitat.