- 10 Sep 2015
Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, pas publikimit të artikullit me titull “Kallëzim Penal ndaj drejtoreshës së Arsimit në Prishtinë”, në numrin e sotëm të gazetës “Koha Ditore”, lëshon këtë: Reagim
Në bazë të kërkesës së Shkollës Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, për 12 orë të lëndës edukatë qytetare, Drejtoria e Arsimit me datën 24.11.2014 kishte angazhuar përkohësisht nga lista e data bazës znj. Arbenita Gagicën, deri në shpalljen e konkursit.
Gjatë muajit dhjetor 2014, Drejtoria e Arsimit ka ndjekur të gjitha procedurat konform ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, të cilat parashohin se orët shtesë duhet t’i kalojnë mësimdhënësve veç se të sistemuar në sistemin arsimor, para se të shpallet konkurs për vend të lirë.
Kësisoj, arsimtares Sadbere Biçku i është plotësuar norma edhe me 12 orë në lëndën edukatë-qytetare në shkollën “Ismail Qemali” pasi që DKA është e obliguar të bëjë plotësimin e orëve mësimdhënësve të rregullt në procesin edukativo-arsimor.
Prandaj, nuk është hapur konkurs i ri për këtë vend pune e rrjedhimisht Arbenita Gagicës i është përfunduar angazhimi i përkohshëm, sepse orët e lira janë plotësuar me mësimdhënës të rregullt në procesin arsimor.
Ritheksojmë se Drejtoria e Arsimit i ka kryer të gjitha obligimet ligjore ndaj Arbenita Gagicës për periudhën kohore të angazhimit të përkohshëm në shkollën përkatëse.
Me tu njoftuar për përfundimin e angazhimit të përkohshëm Arbenita Gagica, i është drejtuar DKA-së shkresa 01 nr. 007-4716/1, dt. 09.01.2015 me pretendim “Ankesë për ndërprerjen e marrëdhënien se punës pa paralajmërim dhe pa kurrfarë akti”.
Pas pranimit të kësaj shkrese Drejtoria e Arsimit ka nxjerrë vendim 01 nr. 007-4716/1, dt. 09.01.2015 më të cilën ankesa e Arbenita Gagicës është konsideruar e pabazuar, sepse e lartcekura nuk ka qenë e punësuar në bazë të konkursit publik sipas dispozitave të ligjit të punës, por vetëm e angazhuar nga data baza për detyra dhe specifika të veçanta për periudhë te caktuar kohore, në bazë të nenit 10, paragrafi 6. “Kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një (1) viti” dhe paragrafit 8. “Të punësuarit për një punë specifike, nuk i takon e drejta në pushim vjetor dhe të drejtat e tjera të përcaktuara me Kontratë Kolektive dhe Kontratën e Punës” të Ligjit të Punës, rrjedhimisht nga kjo e lartcekura nuk mund të thirret në dispozitat e ligjit të punës sepse nuk ka themeluar marrëdhënie pune.
Për vendimin e lartpërmendur, Arbenita Gagica ka bërë kallëzim penal të pabazuar, me pretendim se kinse nënshkrimi i saj për pranimin e këtij dokumentit është falsifikuar, deri sa nënshkrimi i vendosur në vendimin e lartcekur në arkivin e DKA-së, është nënshkrim i zyrtarëve teknik të qendrës për shërbim me qytetarë, me të cilin vërtetohet se vendimi i Arbenita Gagicës nga DKA ka kaluar nga qendra për shërbim, në mënyrë që të jetë në dispozicion për palën, sipas akteve juridike për administratën publike.
Për rastin ne fjalë me datën 03.03.2015, Inspektorët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë inspektuar rastin dhe me datë 05.03.2015, nr.10/1-1046, kanë dhënë këtë konstatim:
1. Arbenita Gagica, në detyrën e arsimtares së lëndës së Edukatës Qytetare në SHFMU “Ismail Qemali” në Prishtinë, është angazhuar për kohë të caktuar deri në shpallje të konkursit, për çka ka qenë e informuar me kohë dhe e kompensuar me pagë.
2. DKA në Prishtinë ka bërë shpalljen e konkursit për rekrutim të mësimdhënësve bazuar në të drejtën ligjore për organizim dhe planifikim të procesit në komunë.
3. DKA në Prishtinë nuk ka bërë shkelje ligjore kur mësimdhënëses Sadbere Biçku, e cila ka qenë e sistemuar në procesin mësimor, ja ka plotësuar normën me 12 orë në SHFMU “Ismail Qemali” në Prishtinë.
4. Askush në asnjë formë nuk e ka kontestuar përformancën e arsimtares Arbenita Gagica, gjatë kohës së angazhimit të saj në këtë shkollë, por vazhdimi i angazhimit të saj në procesin mësimor është ndikuar nga numri i orëve të lira për këtë lëndë në nivel të kësaj komune.
Ndaj personit në fjalë, për shkak të tentimit të denigrimit të personalitetit të saj, Drejtoresha Arbërie Nagavci do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë që i vihen në dispozicion.
Në fund, Komuna e Prishtinës i bën thirrje mediave, që të verifikojnë faktet si në aspektin procedural dhe ligjor, ashtu edhe në atë etik dhe profesional, në mënyrë që publiku të informohet me saktësi dhe korrektësi.