Banorët e projektojnë vetë se si do të duket hapësira publike në “Bregun e Diellit”

- 14 Sep 2015

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti sot vizitoi punëtorinë “Bllok pas blloku” në të cilën u prezantua modeli përfundimtar i projektit që do të realizohet në lagjen “Bregu i Diellit”.
 
Në përmbyllje të punëtorisë katër ditore “Bllok pas blloku” u tha se gjatë kësaj kohe u prezantuan ide nga më të ndryshmet dhe në fund që të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan me përmbajtjen e projektit.
 
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se realizimi i këtij projekti ka qenë një proces i gjatë që nga koha kur muaj me parë ishte nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me UN Habitat – in.
 
“Sot kam kënaqësinë që jam në mesin e të gjithë pjesëmarrësve që iu përkasin moshave të ndryshme të cilët kanë punuar në realizimin e këtij projekti. Është befasuese se sa kreativë janë veçanërisht të rinjtë me lojën “Miancraft” dhe se sa shpejtë i vendosin blloqet në vendet e duhura. Kjo flet se gjeneratat e reja në të ardhmen do të jenë shumë më të avancuara sesa ne që nuk i kemi pasur këto mundësi teknologjike. Ne jetojmë në një Komunë, në një bashkësi. Dhe duhet të krijohet mendësia se bashkërisht duhet të marrim vendime se si duhet të duket një pjesë e caktuar e lagjes ku jetojmë. Kësaj radhe kemi zgjedhur lokacionin tek lagjja “Bregu i Diellit”. Vitin e kaluar i kemi larguar prej aty disa objekte të montuara që ishin të parapara për treg, mirëpo që nuk janë funksionalizuar asnjëherë. Pas largimit, pati mbetur një hapësirë e zbrazët që është hapësirë e jona e përbashkët dhe përmes projektit “Maincraft” vetë komuniteti që jeton në këtë lagje me idetë e tyre do të vendosin se si do të duket kjo hapësirë publike”, tha kryetari Ahmeti.
 
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e UN Habitat thanë se janë tejet të kënaqur me ecurinë dhe interesimin për këtë punëtori.  Ata u shprehën se kishte ide të ndryshme por se në fund grupet e ndara i kanë inkorporuar në një projekt të vetëm.
 
Në fund të kësaj punëtorie u ndanë edhe mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit. Projekti i prezantuar do të realizohet nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me UN Habitat.