- 15 Sep 2015
Sot, Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës, e asistuar edhe nga Policia, ndërmori një aksion në qendër të qytetit, me ç‘rast, të gjitha lokaleve që janë duke e shfrytëzuar hapësirën publike me vendosjen e tarracave dhe për këtë shfrytëzim nuk i kanë kryer obligimet ndaj Komunës, ua konfiskoi tavolinat dhe karriget nga kjo hapësirë.
Aksioni filloi në rrugën “Rexhep Luci” dhe do të vazhdojë gjatë ditës edhe në sheshin “Nëna Terezë, për t’u zgjeruar gjatë ditëve në vijim në të gjitha lagjet e Prishtinës, tek lokalet të cilat po e shfrytëzojnë paligjshëm hapësirën publike.
Komuna e Prishtinës njofton të gjithë pronarët e bizneseve se askush nuk do të mund ta merr lejen e shfrytëzimit të këtyre hapësirave për sezonin dimëror dhe as për vitin e ardhshëm, derisa nuk i shlyen obligimet e këtij viti.
Komuna e Prishtinës edhe një herë iu bën ftesë të gjitha bizneseve që t’i shlyejnë obligimet e tyre ndaj Komunës, në mënyrë që të shmangen situata të tilla. Përndryshe, Komuna është e obliguar të veprojë konform ligjit për t’i mbledhur borxhet që qytetarët dhe bizneset i detyrohen.