- 15 Sep 2015
Nga data 21 shtator të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës do të mund të aplikojnë “online” për të marrë informata nga plani urban, ndërsa këtë informacion mund ta marrin duke aplikuar në ueb portalit zyrtar të Komunës së Prishtinës.
Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu. Ai shpjegoi se tashmë janë thjeshtësuar të gjitha procedurat për të marrë informatat nga kjo drejtori, ndërsa theksoi se procedura e aplikimit ku qytetarët do të shënojnë të dhënat e tyre zgjat 5 – 10 min, gjë që i kursen ata nga radhët e gjata dhe procedurat e lodhshme burokratike që kanë ekzistuar më parë. Qytetarët do të mund të marrin përgjigje brenda 72 orëve për çdo kërkesë të tyre, ndërsa nuk do të paguajnë për këto shërbime.
“Këto punë janë realizuar në kuadër të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve. Aktualisht jemi duke u përgatitur për shërbimin “online” nga plani urbanistik. Në raport me qytetarët dhe shërbimet lehtësuese për ta, Drejtoria e Urbanizmit ka ndërmarrë disa hapa dhe në këtë aspekt janë përmirësuar marrëdhëniet e komunikimit me qytetarë në mënyra të ndryshme”, tha Aliu duke bërë të ditur se në takime të shumta me qytetarë vetë ata kanë qenë ideatorë të zgjidhjeve të caktuara në planin rregullativ.
Qëllimi i informatës nga plani (rregullues, zhvillimor urban dhe zhvillimor Komunal) është informimi rreth kushteve dhe kritereve të ndërtimit në zonën ku ndodhet parcela ( mbi të cilën kërkohet informata ), sipas planeve rregulluese, zhvillimore urbane dhe zhvillimore Komunale.
Ndërsa. U.d i udhëheqësit të sektorit të planifikimit, Florin Krasniqi shpjegoi kërkesat e qytetarëve për informata të ndryshme kanë shënuar rritje.
“Gjatë vitit 2012 ishin 180 kërkesa nga qytetarët, 327 kërkesa në vitin 2013, ndërsa në vitin 2014 janë regjistruar 930 kërkesa. Gjatë vitit 2015 deri në muajin shtator janë bërë 550 kërkesa nga qytetarët për informata të ndryshme”, tha Krasniqi.
Drejtori Liburn Aliu, gjithashtu, bëri të ditur se tashmë është duke funksionuar suksesshëm edhe programi“Permit Tracking System". Ai tha se ky sistem është duke funksionuar jashtëzakonisht mirë, gjë që ua mundëson qytetarëve të informohen për secilën lëndë se në cilën fazë ka arritur, por po ashtu e monitoron edhe punën e secilit zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit. "Permit Tracking System" e përcjellë lëndën që nga momenti i aplikimit e deri tek vendimi për dhënien eventuale të lejes. Ndërsa, ky program tani do t’iu ofrohet si model i punës edhe komunave të tjera.