- 25 Sep 2015
Të nderuar anëtarë të bordeve të Ndërmarrjeve Publike në Komunën e Prishtinës Të nderuar kryeshefë të Ndërmarrjeve Publike në Komunën e Prishtinës.
Ditëve të fundit ka pas disa diskutime në lidhje me vendime të mundshme të mund të marrin vetëm një pjesë e komiteteve të Aksionarëve të Ndërmarrjeve Publike në Komunën e Prishtinës.
Përmes kësaj letre dua edhe njëherë të sqarojë se çfarëdo vendime që merren në mënyrë të njëanshme nga komitetet e pakompletuara janë vendime të paligjshme, të pazbatueshme dhe nuk do të merren parasysh nga ekzekutivi i Komunës së Prishtinës.
Besueshmëria e çdo organi që ushtron kompetenca ligjore veçanërisht në rastin e organeve vendimmarrëse e kolegjiale, lidhet drejtpërdrejtë me përbërjen e tyre. E njëjta vlen sidomos dhe për legalitetin e këtyre organeve.
Bazuar mbi këtë parim është dhe interpretimi zyrtar nga Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik lidhur me pavlefshmërinë e vendimeve të Komisioneve Komunale të Aksionarëve në rastet kur ato nuk kanë përbërje të plotë.
Si pasojë çdo vendim i marrë në emër të Komisioneve Komunale të aksionarëve në Ndërmarrjet Publike Lokale të cilat nuk kanë përbërje të plotë të anëtarëve është i paligjshëm. Duke marrë parasysh që përveç përbërjes, vetë përfaqësimi i anëtarëve në këto komisione të zgjedhura nga ana e Kuvendit Komunal është i kontestueshëm dhe të njëjtit nuk gëzojnë legjitimitet.
Është nën diskrecionin e plotë ligjor të Kryetarit të komunës së Prishtinës që të vendos mbi emërimin e anëtarëve në këto komisione. Këtë autoritet ia njeh Ligji për ndërmarrje publike. Për këtë, Kryetari i komunës nuk i nënshtrohet vullnetit të subjekteve individuale, por i bindet pushtetit të ligjit.
Vlerësimi i zbatimit ligjor nuk mund të merret si objektiv kur ai bëhet nga zyra politike. Interpretimi ligjor është veprimtari që kërkon besueshmëri subjektive dhe jo identitet politik subjektiv.
Veprimet e disa anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, të cilët në emër të Komisioneve Komunale të Aksionarëve nxjerrin vendime janë sa te paligjshme aq dhe të papërmbarueshme për Komunën e Prishtinës. Çfarëdo përdorimi i jashtëligjshëm i vulave zyrtare të ndërmarrjeve publike do të përcillet me kallëzime penale.
Prandaj, në këto rrethana, puna në ndërmarrjet publike vazhdon me ritmin e njëjtë të reformave. Këto reforma nënkuptojnë rimëkëmbjen financiare, luftën kundër korrupcionit e nepotizmit dhe zhviIlimin e këtyre ndërmarrjeve në organizata që ofrojnë shërbime cilësore dhe sjellin të mira të tjera materiale për komunën tonë.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
"Letër e Kryetarit Shpend Ahmeti drejtuar bordeve dhe kryeshefave të ndërmarrjeve publike komunale"
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
"Letër e Kryetarit Shpend Ahmeti drejtuar bordeve dhe kryeshefave të ndërmarrjeve publike komunale"