Prezantimi i implementimit të Planit të Integritetit për Komunën e Prishtinës

- 13 Oct 2015

Fjalën hyrëse e mbajti Shqipe Neziri, menaxhere e Planit të Integritetit nga UNDP, e cila  tha se pas 1 viti të implementimit të planit, i cili është i mbështetur edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion, do të prezantohen disa rezultate të arritura të Komunës. Ajo e theksoi se ky plan është nga obligimet e strategjisë kundër korrupsionit 2013-2017, që është hartuar dhe miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe i obligon të gjitha institucionet, deri sa Komuna e Prishtinës. “Si pikënisje e kemi Komunën e Prishtinës e cila ka qenë shembull i zbatimit të planit deri më sot”, tha Neziri. Pas saj fjalën e mori i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili tha se ky plan është implementuar me ndihmën e UNDP-së që nga viti i kaluar, më qëllim që ta kemi një plan me masa specifike të veprimit, me ç‘rast cak janë masat që duhen të ndërmerren në parandalimin e korrupsionit dhe luftimin e tij. Ai i përmendi disa pozita të ndjeshme të cilat janë të ekspozuara më shumë ndaj fenomenit të korrupsionit, si p.sh. në urbanizëm, prokurim, arsim, inspeksion, punësim etj. Ahmeti e potencoi se plani i integritetit i Komunës së Prishtinës është hartuar në vitin 2014 dhe miratuar në korrik të atij viti. Ky plan është transparent dhe gjendet në webfaqen e Komunës, tha Ahmeti.
 
Arritjet e Planit për Integrim të Komunës së Prishtinës janë: Prishtina Dixhitale, E-Rekrutimi, E- Shpenzimi, Hapja e të dhënave të Prokurimit, Shenjat informative, (infografikat), punëtori me zyrtarë komunalë dhe Agjencinë Kundër Korrupsion, Diskutime me të rinjtë për probleme në arsim etj.