Asambleistët e LDK-së pamundësojnë mbajtjen e seancës së Kuvendit Komunal të Prishtinës

- 15 Oct 2015

As mbledhja e VIII e Kuvendit të Komunës së Prishtinës nuk u zhvillua, sepse asambleistët e LDK-së e lëshuan mbledhjen dhe e pamundësuan kuorumin. Pas propozimit të rendit të ditës nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Halimi, fjalën e mori kryetari i Grupit të Asmableistëve të LDK-së, Sami Hamiti, i cili  bëri vërejtje se disa pika të propozuara nga Komiteti për Politikë dhe Financa nuk janë pjesë e këtij rendi të ditës. Ndër të tjera ai e përmendi raportin e auditorit, raportin 6 mujor të punës dhe raportin 9 mujor të punës, të cilat i cilësoi obligime ligjore të kryetarit. Ai tha se Grupit i Asambleistëve të LDK-së nuk e vazhdon më tutje këtë seancë deri sa këto pika të vihen në rend dite.
 
Edhe Lirak Çelaj, kryetar i Grupit të Asambleistëve të PDK-së, përsëriti të njëjtat kërkesa, si dhe kërkoi që në të ardhmen rendi i ditës të jetë më i shkurtë, sepse sipas tij është e pamundur që të shqyrtohen kaq shumë pika në një seancë. Sa i përket planeve zhvillimore, Çelaj kërkoi që këto mos të vijnë nga Drejtoria e Urbanizmit, por nga ajo e zhvillimit ekonomik, përndryshe PDK nuk do t’i votojë.
 
Pas pamundësimit të vazhdimit të seancës për shkak të mungesës së kuorumit, fjalën e mori Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, i cili në mes tjerash tha se Kuvendi Komunal nuk është Kuvend i Republikës dhe qeverisja komunale nuk është e zgjedhur nga Kuvendi, andaj edhe nuk mund të ketë interpelanca ku qeverisja komunale i përgjigjet Kuvendit. Ai tha se obligimi i tij ligjor në të cilin thirren Sami Hamiti dhe Lirak Çelaj është kryer në momentin kur i është dërguar asambleistëve raporti 6 mujor i punës dhe ai i auditorit. Andaj asambleistët meqë i kanë këto raporte mund t’i fusin kur të duan në rend të ditës dhe t’i debatojnë. Ndërsa sa i përket raportit 9 mujor, Ahmeti tha se  deri në mbledhjen e fundit të tetorit do të dorëzohet edhe ky raport.