Lëreni bllokimin e Planeve Rregullative e mos i dëmtoni qytetarët e Komunës së Prishtinës

- 12 Nov 2015

Fjalimi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti


Të nderuar anëtarë të Kuvendit Komunal,

Z.Hamiti herën e fundit e ka dhënë një deklaratë dhe ka dalë, pa e dëgjuar as përgjigjen. Unë po e përsëris për hatër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mendoj që Sami Hamiti është njohës i mirë i ligjit dhe mendoj që keqinterpretimin e ligjit e bën në mënyrë të qëllimshme, sepse nuk e besoj se e bën pse nuk e kupton. Ka qenë në Kuvendin Komunal që një kohë të gjatë dhe besoj që i din këto çështje.

Kuvendi Komunal nuk është Kuvendi Republikës së Kosovës, nuk ka ftesa për interpelanca në Kuvendin Komunal. Raportimi edhe në ligj, mund t’i referohemi Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, kërkon raportimin e kryetarit për raportin 6 mujor deri në një datë të caktuar, të cilën e kemi bërë. Kemi dorëzuar raportin me shkrim! Tash, nëse ky kërkon që unë ti dal përpara dhe ti jap llogari, kjo nuk është situatë që mund të ndodhë në një Kuvend Komunal, sepse kështu është sistemi në Kosovë: Kryetarët e Komunave zgjedhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, Kuvendi Komunal zgjedhet me vota dhe të dy palët i kanë funksionet e veta dhe natyrisht, fuqitë e veta dhe kompetencat e veta të caktuara me ligj. Prandaj, në momentin kur ne e kemi dërguar raportin ne i kemi përmbushur obligimet ligjore. Nëse mendon ndryshe, atëherë ka institucione ku mund të drejtohen qoftë z. Hamiti, qoftë të tjerët. Këta e dinë që unë nuk kam nevojë me ardhë personalisht në Kuvend , por kam ardhë t’iu respektoj, sepse mendoj që është institucion tepër i rëndësishëm. Por, mos i keqpërdorni dhe mos i tejkaloni kompetencat e juaja të cilat i keni të përcaktuara me ligj. Unë e kam dorëzuar raportin, do të vazhdoj të dorëzoj raporte, nëse doni ju t’i diskutoni, vazhdoni sepse e keni atë të drejtë edhe t’i diskutoni edhe të votoni kundër. Megjithatë, obligimet ligjore i kemi përmbushur në saktësi, e di mirë Sami Hamiti, por për arsye se duhet të bëj politikë këtu, e problematizon këtë çështje.

E dyta, thonë që nëse nuk vijnë raportet 6 mujore apo 9 mujore të auditimit ne e lëshojmë sallën e Kuvendit. Në rregull! Ju thashë edhe herën e kaluar vëjeni në rend dite, e keni vënë në rend dite. Tani kërkojnë të jetë pika e tretë. Pse pika e tretë, sepse janë kamerat këtu dy orët e para apo si është puna??! A është qëllimi të bëni deklaratë politike para mediave? Arsyeja pse janë në fund është se ne e kemi pasur një mbledhje e cila është ndërprerë dhe ajo mbledhje po vazhdon. Ajo mbledhje e ka pasur rendin e vet të ditës dhe pikat tjera veç se i shtohen atij rendi të ditës. Mund ti vëmë nesër përsëri në pikat e para të rendit të ditës. Nuk e kam problem as atë punë. Por mos ta bllokojmë këtë Kuvend, se nuk është e vërtetë që s’po bllokohet. Po e shoh si rast Kishën Protestante, që 3 vjet ka dalë edhe në departament të shtetit thuhet se nuk ja japin lejen. Pse, sepse në Planin Rregullativ “Sofalia” nuk janë të parapara objektet e kultit. Duhet bërë ndryshimin në këtë sallë të Kuvendit në mënyrë që të ata të jenë dhe të respektohen si bashkësi fetare që janë.

Po bllokohet, sepse banka “Reifeissen” s’po mundet me hy në ndërtesë, sepse ju nuk po e kaloni një pikë të rendit të ditës, sepse po na shkruaka aty Liburn Aliu.

Lëreni këto absurditete. Ja kam thënë edhe Lirakut. Vendimin me shkrim e keni nga Kryetari i Komunës. Ju e kërkoni Genc Bashotën. Çfarë absurditeti është ky? Nuk është në rregull nga Kryetari, por qenka në rregull nga Drejtori për Zhvillim Ekonomik?? Po sikur të doja t’iu mashtroja do ti sillja propozimet nga Genc Bashota dhe do ta emëroja pastaj Liburn Aliun në atë drejtori. Çka do të bënit ju pastaj? Prandaj Lirak, mos u kap për gjëra se qëllimi është për ta bllokuar këtë Kuvend  Komunal dhe pasi ky është qëllimi tregoju qytetarëve, tregoju të tjerëve.

Zoti Hamiti thotë je në kundërshtim me ligjin. Po citoj: Planet rregullative: Neni 26, pika 7; Dokumentet ekzistuese të Planifikimit Hapësinor mbeten në fuqi deri sa të harmonizohen me dispozitat e këtij ligji. Kemi kërkuar interpretim dhe përgjigja nga Ministria është drejtuar Drejtorit Liburn Aliu se udhëzohet Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës që të vazhdojë procesin dhe procedimin e Planeve Rregullative sipas Udhëzimit Administrativ me numër rendor 31. Gjysmën e Qeverisë e keni këtu në Kuvend Komunal, urdhëroni dhe pyetni. Nuk ka dalë Udhëzimi Administrativ për Harta Zonale. Deri sa të del ky udhëzim duhet vazhduar me Plane Rregullative, sipas ligjit të kaluar.

Më qartë se kjo s’ka ku shkon, andaj aman lëreni planet rregullative, sepse jeni kah i dëmtoni qytetarët. Në fund të fundit s’ka lidhje, mund të mos jetë më Shpendi kurrë kryetar. Por, mos i dëmtoni qytetarët e Komunës së Prishtinës! Ata po kërkojnë leje, po kërkojnë të drejtën të ndërtojnë në pronat e tyre, të zhvillojnë biznese, po kërkojnë të vazhdojnë jetën dhe nuk janë të interesuar në bllokadat e juaja të cilat po i bëni në baza ditore.

E fundit, kërkoj nga kryesuesi që ta heq nga rendi i ditës Planin Rregullativ “Kalabria”, pika nr 9. Për një arsye të thjeshtë: Ministria e Infrastrukturës e ka ndërtuar autostradën në kundërshtim me Planin Zhvillimor Urban, në kundërshtim me Planin Rregullativ “Kalabria”, pa leje të Komunës së Prishtinës, pa leje të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe me këtë rast na e kanë ndryshuar planifikimin krejt. E kanë lëvizur për 50 m në njërën anë, për shkak se, unë mendoj, të disa pronave të disa deputetëve që gjenden aty. Prandaj ne kërkojmë që të hiqet kjo pikë e rendit të ditës, sepse atje dikush mendon se nuk duhet pyetur as Komuna, as Ministria, por ka ndërtuar, prandaj na duhet edhe 1 muaj kohë që ta bëjmë përsëri. Na e kanë ndryshuar edhe unazën e më e keqja që këtë plan zhvillimor të cilin e kanë pranuar vet, tash e shkelin. Mirë, Qeveria na qenka më e fortë, mund të ndërtojë ku të dojë, por neve na duhet më shumë kohë që ta bëjmë Planin Rregullativ “Kalabria”.