- 01 Mar 2016
Sot në Prishtinë, me iniciativën e Kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, me mbështetjen e Ambasadës Britanike dhe Zyrës Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë, u hap Qendra për Këshillim në Karrierë, e para e këtij lloji në Kosovë, e cila ka për qëllim orientimin e nxënësve kah shkollat profesionale, në mënyrë që të jenë të kualifikuar për tregun e punës, si dhe ndërmjetësimin mes bizneseve që kanë nevojë për punëtorë të kualifikuar. Në ceremoninë e inagurimit të Qendrës, në një fjalë rasti Ambasadori Britanik Ruairi O’Connell tha se e gëzon fakti që po fillon një projekt konkret për të rinjtë në Prishtinë. Ai tërhoqi vërejtjen tek problem i papunësisë tek të rinjtë, e cila sipas statistikave është rreth 61%, e që është shifër alarmante. Ruairi O’Connell përgëzoi nismën, uroi që kjo të jetë një ndihmë e madhe për nxënës e studentë dhe orientimin e tyre profesional në jetë dhe potencoi se çelësi i suksesit është bashkëpunimi. Ambasadori tregoi përkushtimin e Qeverisë Britanike për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet dhe për të ndihmuar ngritjen dhe zhvillimin e prosperitetit në Kosovë.
Ndërkaq, Drejtori i Zyrës Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë, Patrick Etienne tha se kjo Qendër do të ndihmojë në zbutjen e varfërisë dhe papunësisë, e cila është kaq e madhe në të gjithë vendin, pra edhe në Prishtinë. Ai tha se Qeveria Zvicerane është krenare që ka mundur ta ndihmojë Komunën e Prishtinës në këtë projekt, për shkak se ne besojmë që niveli lokal ka rëndësi të veçantë në bashkëpunimin tonë.
Në fund, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti pasi falenderoi të pranishmit, tha se ideja për këtë shkollë ka lindur nga nevoja për të krijuar kuadër professional për biznese në Kosovë, sepse mungesa e këtij kuadri edhe po i hendikepon bizneset, të cilët nuk janë të kënaqur me nivelin e trajnimit dhe kualifimin e nxënësve andaj edhe nuk po ka punësim më të madh të tyre dhe zbutje të papunësisë.
“Synimi ynë është të identifikojmë nevojën e tregut të punës dhe pastaj shkollat profesionale dhe kualifikimin e nxënësve t’ia përshtatim këtij tregu. Kosova ka rreth 70% popullsi nën 35 vjet dhe kësaj shoqërie vibrante, dinamike, duhet t’i ndihmohet që ta gjej potencialin e vet, duke i pasë parasysh edhe storiet e suksesit që po na vijnë nga e gjithë bota”, tha Ahmeti.
Ai falenderoi Qeveritë Zvicerane dhe Britanike, të cilat kanë treguar gatishmërinë për ta ndihmuar këtë projekt.