- 14 Mar 2016
Sot, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti në takim një delegacion të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në krye me Kryetarin e saj Ramush Haradinaj, me ç'rast u bë formalizimi dhe konkretizimi i marrëveshjes për koalicion në Komunën e Prishtinës.
Kryetari Ahmeti falënderoi AAK-në për mbështetjen e vazhdueshme që ka pasë nga Grupi i Asambleistëve të AAK-së pa asnjë kusht në Kuvendin Komunal. Ai tha se diskutimet kanë filluar para disa javësh dhe se ato janë zhvilluar edhe me subjekte të tjera politike, për ta krijuar shumicën e nevojshme në mënyrë që të zhbllokohet puna në Kuvendin Komunal dhe të arrihen synimet të cilat ia kemi vendos vetvetes, e ajo është reforma thelbësore dhe e plotë në Komunën e Prishtinës.
Ai po ashtu bëri të ditur se Grupi i Asambleistëve të AAK-së tani e tutje do të koordinohet me Grupin e Asamblistëve të Lëvizjes VETËVËNDOSJE!, ndërkaq nga tani e tutje, AAK-ja merr në drejtim Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, e cila deri më tash është udhëhequr nga Nënkryetari, Dardan Sejdiu.
Nga ana e tij, Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me fitoren e Kryetarit Shpend Ahmeti AAK-ja ka marr vendim politik që ta përkrah këtë qeverisje dhe politikat e kryetarit Ahmeti pa kushte. Ai potencoi se tani është e nevojshme krijimi i një shumice dhe se janë të gatshëm për partneritet me qëllim që t'iu shërbejnë sa më mirë qytetarëve.