Ndërpritet përsëri mbledhja e dytë e Kuvendit Komunal

- 12 Apr 2016

Edhe sot mbledhja e dytë e Kuvendit Komunal të Prishtinës nuk arriti të mbahet, por u ndërpre për herë të dytë.

Në Kuvend ishin të pranishëm gjithsej 48 asamblistë nga 51, ndërsa menjëherë pas fillimit të mbledhjes, Sami Hamiti, shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, kërkoi që pika e 17-të që ka të bëjë me  raportin përfundimtar buxhetor për vitin 2015 të kalojë në fillim, e njësoj kërkoi edhe Lirak Çelaj nga PDK. Ndërkaq, Kryetari Shpend Ahmeti,sqaroi për opinionin dhe asamblistët se arsyeja pse raporti është në pikën e 17 është se mbledhja ka qenë e ndarë në dy pjesë dhe raporti i bie të
ishte pika e parë e mbledhjes së dytë. Megjithatë, ky propozim u hodh në votim dhe me 25 vota për, ndërsa 23 kundër, pa asnjë abstenim, raporti i buxhetit u zëvendësua me pikën e tretë.
 
Lëvizja VETËVENDOSJE! propozoi të diskutohet në Kuvend rreth bllokimit të Komisionit të Aksionarëve dhe kjo pikë të futet në rend të ditës. Por, këtu ka pasur mospajtime dhe akuza të paqëndrueshme nga subjektet politike opozitare, të cilët  me votat e tyre kundër e bënë një gjë të tillë të pamundur.

E vetmja pikë e rendit të ditës qe u përfundua ishe betimi i asamblistit të ri i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Boroci nga AKR.

Pas një pauze të thirrur, përfundimisht nuk pati kuorum që  Mbledhja e Kuvendit të vazhdojë më tutje.