- 21 Nov 2014
Sot, Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Prishtinës, Ardian Gashi, mbajti konferencë për media ku raportoi për punën e deritanishme, planet dhe objektivat e kësaj drejtorie.
Objektivat kryesore të kësaj drejtorie, sipas Drejtorit Gashi janë krijimi i standardit për Transport Publik, lirimi i shtigjeve për këmbësor (mobiliteti), largimi i veturave nga qendra e qytetit dhe krijimi i kushteve për parkingje, rregullorja për standardizimin e taksive të komunës, mirëmbajtja e sinjalizimeve horizontale dhe vertikale, mirëmbajtja e rrugëve, mirëmbajtja dhe zgjerimi i gjelbërimit urban, standardet evropiane për menaxhimin e mbeturinave, Prishtina e sigurt / Ndriçimi publik, Prishtina "Safe City“, krijimi i hapësirave për tregtarë, kiosqet, shtandet etj.
Sa i përket krijimit të standardit për transport publik, drejtori Gashi tha se është duke u bërë definimi i linjave, inkuadrimi i stacionit të autobusëve, janë duke u planifikuar trasetë për autobusë, linja të posaçme për nxënës dhe punëtorë. Njëkohësisht ai tha se është duke u bërë zhvillimi i hartave të transportit publik dhe se është duke u punuar në standardizimin e taksive të komunës ku parashihet rregullorja për taksi, pikat e vendqëndrimit dhe taksitë për bartjen e mallrave.
Drejtori Gashi tha se një prej qëllimeve të kësaj qeverisje mbetet lirimi i shtigjeve për këmbësorë (mobiliteti), ku përfshihen shtyllat antiparking, ngritja e vendkalimeve për këmbësorë, ndërtimi i rampave në hyrje të ndërtesave publike për persona me aftësi të kufizuara. Ai shtoi se tashmë në proces është edhe projekti për largimin e veturave nga qendra e qytetit dhe krijimi i kushteve për parkingje, me çrast është duke u bërë definimi i zonës së dytë, përgatitja për zonime të tjera, si dhe është duke u punuar për krijimin e hapësirave të reja për parkim.
Përpos mirëmbajtjes së sinjalizimeve të deritanishme, drejtoria Gashi tha se ka filluar edhe projekti i sinjalizimeve horizontale dhe vertikale ku përfshihen semaforët, mirëmbajtja dhe zgjerimi, vendosja e radarëve në afërsi të shkollave.
Njëkohësisht, drejtori Gashi tha se Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar në mirëmbajtjen e rrugëve, si dhe mirëmbajtjen dhe zgjerimin e gjelbërimit urban. “Janë mbjellë 266.000 luleve sezonale, 462 drunjë dekorativë është bërë rikultivimi i sipërfaqeve gjelbëruese në qendër të qytetit dhe lagjet “Dardania”, “Kodra e Diellit”, me një sipërfaqe prej 10.000 m2. Sa i përket mirëmbajtjes së sipërfaqeve të gjelbëruara, aktualisht janë 120 hektarë në mirëmbajtje aktive, 1.123 hektarë sigurim dhe mirëmbajtje e “Parkut Natyror të Gërmisë”, si dhe 650 hektarë pyje në mbrojtje të veçantë përgjatë liqenit të Badovcit”, tha drejtori Gashi.
Njëkohësisht ai i njoftoi të pranishmit se është duke u punuar që të aplikohen standarde evropiane për menaxhimin e mbeturinave, ku përfshihet plani vjetor për menaxhim të mbeturinave, modeli i ri i inkasimit dhe i caktimit të tarifave, studimi i fizibilitetit për dhënien me koncesion të deponisë së mbeturinave inerte, si dhe kontejnerët nëntokësorë.
“Prishtina e sigurtë”, është një projekt tjetër i rëndësishëm i kësaj drejtorie, ku përfshiehet vazhdimi i zgjerimit të rrjetit të ndriçimit publik, modernizimi i rrjetit të vjetruar të ndriçimit publik, mirëmbajtja e rrjetit të ndriçimit, trajtimi i qenve endacak, studimi i fizibilitetit për funksionimin e sistemit “Prishtina Safe City”, si dhe plani vjetor i menaxhimit të emergjencave.
Drejtori Gashi njoftoi se gjatë këtij viti janë hulumtuar 75 raste të shkaqeve të zjarrit, ekzistojnë 63 procesverbale të inspektimit të objekteve, janë shqiptuar 176 masa të ndëshkimit, ndërsa janë dhënë 29 pëlqime për dokumentacione investivo – teknike.
“Drejtoria e Shërbimeve Publike mbetet e përkushtuar për krijimin e hapësirave për tregtarë, ku përfshihet tregu i kombinuar, planifikimi për tregun e prodhimeve vendore si dhe tregjet e lagjeve. Është duke u punuar në dizajnimin e kiosqeve dhe shtandeve të reja, duke përfshirë edhe definimin e pikave të vendosjes së tyre në kryeqytet”, tha drejtori Gashi.
Drejtoria e Shërbimeve Publike gjatë vitit 2014 ka hartuar rregulloren për tarifa, rregulloren për shfrytëzimin e hapësirave publike, si dhe rregulloren për menaxhimin e parkut “Gërmia”. Njëkohësisht, janë përpiluar edhe draft – propozimet që ndërlidhen me menaxhimin e varrzave, ushtrimin e veprimtarisë së taksive, organizimi i transportit rrugor, linjat urbane dhe urbano – periferike, si dhe draft - rregullorja për mbajtjen e qenve dhe maceve.
Sa i përket shpenzimeve buxhetore, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Adian Gashi, raportoi se për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe trotuareve dhe debllokimin e kanalizimit atmosferik janë shpenzuar 190.030 euro, për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve rurale janë shpenzuar 121.995 euro, për mirëmbajtjen verore të rrugëve dhe trotuareve në qytet janë shpenzuar 705.913 euro, për mirëmbajtjen dhe kultivimin e sipërfaqeve gjelbëruese dhe parqeve të qytetit janë shpenzuar 895.613 euro, etj.