- 23 May 2016
Sot, në shkollën fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me Drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia, inspektuan nga afër vizitat sistematike mjekësore të nxënësve, të cilat po zhvillohen për të tretin vit me radhë, nën udhëheqjen e Drejtoratit të Shëndetësisë dhe Mirëqeniës Sociale dhe QKMF-së.
I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka përshëndetur këtë inciativë duke thënë se do të mundohet që edhe në të ardhmen të kontribuojë në projekte të tilla të rëndësishme.
“Tashmë ekipet e Qendrave Familjare si çdo vit po bëjnë vizitën sistematike nga klasa e parë e deri në të pestën, afro 10 mijë nxënës të Komunës së Prishtinës. Këta fëmijë po e marrin kontrollën e nevojshme shëndetësore, prej vizitës stomatologjike e deri tek kontrolla e shputës së këmbës. Këto kontrolla janë mjaft të rëndësishme, gjithashtu na mundësojnë përcjelljen e fëmijëve prej klasës së parë deri në të pestën dhe më tutje, si dhe këto vizita na ndihmojnë në evidentimin e problemeve të mundshme të cilat mund t’i adresohen fëmijëve dhe kjo është një mundësi e mirë që ne do të mund t’i zbulojmë shumë më herët. Përgëzoj Drejtorinë edhe ekipet mjekësore të cilat po bashkëpunojnë intersivisht dhe besoj që deri me 10 qershor kur të mbarojë i gjithë procesi do të kemi një raport sistematik mbi gjendjen e fëmijëve në të gjitha shkollat e Prishtinës. Falenderoj edhe Ambasadën Çeke e cila e ka mbështetur këtë projekt me laptopë, të cilët na kanë ndihmuar që gjithë këtë proces ta digjitalizojmë, tashmë i kemi gjitha data bazat për fëmijët me të gjitha evidencat konkrete të cilat ua dërgojmë drejtorive të shkollave dhe prindërve", tha Ahmeti.
Po ashtu drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Arben Vitia, tha se të tilla inicitava janë të domosdoshme për rritjen e shëndetshme të fëmijëve. Poashtu Vitia ka theksuar gjithashtu se Komuna e Prishtinës e ka pajisur edhe QKMF-në me aparatura të ndryshme që këta fëmijë në të ardhmen të mund t’i adresojnë problemet e tyre shëndetësore.