Instituti Publik i Tregut Komunal të Barcelonës viziton Komunën e Prishtinës

- 13 Jun 2016

Komuna e Prishtinës, e përfaqësuar nga Nënkryetari Dardan Sejdiu, Drejtori për Zhvillim Ekonomik Genc Bashota dhe përfaqësuesit e organizatës implementuese të projektit të Tregut Mobil të Fermerëve në Prishtinë OJQ Gratë në Biznes, ka pritur të hënën, një delegacion nga Komuna e Barcelonës, respektivisht nga Departamenti për Marrëdhënie dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Instituti Publik i Tregut Komunal të Barcelonës, i udhëhequr nga Z. Jordi Cortez i Roldan dhe UN Habitat Zyra e Kosovës, e përfaqësuar nga Z. Frederic Saliez, Zëvendës Drejtor i Zyrës Ndërlidhëse me Institucionet Evropiane.

Qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i përvojave dhe diskutimi i mundësive për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Komunës së Barcelonës për zhvillimin dhe menaxhimin e tregjeve komunale, duke ndërlidhur këtë mundësi me rigjenerimin urban dhe shfrytëzimin e hapësirave publike.

Nga ana tjetër, Z. Cortez i Roldan theksoi se Instituti Publik i Tregut Komunal të Barcelonës menaxhon 43 tregje, kryesisht të mbyllura dhe më pak të hapura, në Barcelonë, të cilat organizohen dhe funksionojnë nëpërmjet shoqatave apo asosacioneve. Ai edhe njëherë ka theksuar se qëllimi i kësaj vizite eshte shkëmbimi i përvojave dhe diskutimi i mundësive për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Komunës së Barcelonës për zhvillimin dhe menaxhimin e tregjeve komunale, duke ndërlidhur këtë mundësi me rigjenerimin urban dhe shfrytëzimin e hapësirave publike. Z. Cortez i Roldan tregoi se Tregu Komunal i Barcelones zë vendin e tretë për nga institucionet të cilat qytetarët i vleresojnë më së shumti.   Ai po ashtu ka theksuar se kërkesa për tregje ku fermerët prodhues të shesin drejtpërsedrejti prodhimet e tyre të freskëta është rritur edhe në vendet e Evropës, mirëpo sipas tij kjo është e vështirë në Barcelonë pasi fermerët jetojnë së paku 100 km larg qytetit të Barcelonës.

 
Në fund të takimit delegacioni nga Barcelona vizitoi tregun mobil të fermerëve në sheshin Zahir Pajaziti, ku pa nga afër këtë treg dhe pati rastin të bisedojë drejtpërsëdrejti me fermerët. Fermerët e tregut mobil në Prishtinë mirëpriten delegacionin nga Barcelona dhe treguan interes për shkëmbim të pervojave me tregjet e fermerëve në Barcelonë.