- 14 Jul 2016
Sot, në Mbledhjen e V të Kuvendit Komunal, në diskutimin rreth rendit të ditës, përveç pikave të parapara asambleisti Ibrahim Mehmeti propozoi që pikë e rendit të ditës edhe një diskutim mbi performancën e ndërmarrjeve publike komunale dhe analizë për punën e tyre. Ky propozim nuk u mirëprit nga asambleistët e LDK-së dhe PDK-së, të cilët në pamundësi për të votuar kundër këtij propozimi e braktisën seancën. Edhe Kryesuesi i Kuvendit, Halimj Halimi, i vetëdijshëm që me prezencën e tij përmbushet kuorumi e braktisi seancën, me çka e shkeli detyrën për të cilën e kanë votuar edhe asambleistët tjerë.
Pas këtij akti, Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti tha se veprimi i Halimit është precedent i parë i këtij lloji. Ai tha se është e pakuptueshme se si një diskutim, një analizë mbi punën e ndërmarrjeve publike mund të konsiderohet e paligjshme.
Ahmeti tha se kjo situatë me bërllog nëpër rrugë të qytetit dhe polici në stacion të autobusëve nuk mund të vazhdojë më. Ai përmendi projektet dhjetëra milionëshe në Termokos, Trafikun Urban, gjelbrimin e qytetit nga Hortikultura dhe rritjen e veprimtarisë së Sport Marketingut si rrugë përpara për ndërmarrjet komunale.
" Neve nuk nuk na duhen njerëz partiakë në këto ndërmarrje, por profesionistë të vërtetë, menaxherë të punës të cilët i çojnë edhe ndërmarrjet edhe qytetin përpara", tha në fund Ahmeti, duke iu bërë thirrje të gjithë asambleistëve që të vinë në Kuvend dhe të debatojnë për të mirën e Prishtinës.