DEKLARATË - Anëtarët e Grupit të Zgjidhjeve Urbane, Drejtoria e Urbanizmit, Komuna e Prishtinës

- 23 Aug 2016

Drejtuar: Mediave te Republikës së Kosovës
Nga: Anëtaret e Grupit të Zgjidhjeve Urbane, Drejtoria e Urbanizmit, Komuna e Prishtinës
Prishtinë, 22.08.2016

DEKLARATË

Me anë të kësaj deklarate duam të bëjmë demantimin e lajmit të lëshuar nga disa portale informative se gjoja kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka punësuar vetëm militantë partiakë në këtë Komunë. Një grup arkitektësh të angazhuar shpeshherë vullnetarisht dhe/ose me kontratë mbi vepër i kanë kontribuar Komunës së Prishtinës me profesionalizmin e tyre për t'i ndihmuar procesit të urbanizimit të qytetit. Një nga këto grupe është edhe Grupi i Zgjidhjeve Urbane, i cili ka ndihmuar në periudha të ndryshme kohore në procesin e analizave dhe studimeve mbi zgjidhjet urbane, si dhe në krijimin e një databaze të dhënash që i kanë ndihmuar sektorit të planifikimit për të filluar hartimin e Hartës Zonale. Një pjesë e anëtarëve të grupit janë angazhuar fillimisht si student-praktikant nga konkurse publike dhe më vonë kanë vazhduar si pjesë e anëtarëve të paguar me kontrata mbi vepër. Një pjesë tjetër, duke u thirrur në shkollimin dhe përvojat e mëhershme kanë filluar menjëherë me Kontratë mbi vepër. Numri i këtij grupi varionte 4-8 persona, varësisht nga volumi i punëve dhe interesi i tyre për punë të tilla.
Grupi që nga themelimi i tij është përberë nga:


Dr.Sc. Gyler Mydyti,
-    E diplomuar në fushën e Arkitekturës dhe Planifikimit Urban në Istanbul Technical University (BSc), Politecnico di Milano (MSc), Politecnico di Milano dhe École d'architecture de la ville & des territoires à Marne-la-Vallée (PhD) dhe nga Shtatori 2016 vazhdon në ETH-z (Post-Doc).
-    Pa angazhime në parti politike.
-    E angazhuar në Komunën e Prishtinës prej Prillit 2014, fillimisht si vullnetare pa pagesë, më pas me Kontratë mbi vepër. Për një periudhë ka qenë e angazhuar në Komunë si këshilltare nga CDF dhe UNDP.


MSc. Erblin Bucaliu,
-    I diplomuar në fushën e Arkitekturës dhe Planifikimit Urban në Wentworth Institute of Technology (BSc dhe MSc).
-    Pa angazhime në parti politike.
-    I angazhuar në Komunën e Prishtinës me Kontratë mbi vepër (Nëntor 2014 - Prill 2015).


MSc. Arta Selimi,
-    E diplomuar në fushën e Arkitekturës në FNA Universiteti i Prishtinës (BSc), Universiteti Polis, Tiranë (MSc) dhe FNA Universiteti i Prishtinës (MSc).
-    Pa angazhime në parti politike.
-    E angazhuar në Komunën e Prishtinës fillimisht si vullnetare pa pagesë, më pas me Kontratë mbi vepër prej Maj 2015.


MSc. Visar Haxhibeqiri,
-    I diplomuar në fushën e Arkitekturës në FNA Universiteti i Prishtinës (BSc) dhe në fushën e Arkitekturës dhe Dizajnit Urban në Universitetin Polis, Tiranë (MSc).
-    Aktivist i LVV.
-    I angazhuar në Komunën e Prishtinës me Kontratë mbi vepër prej Prill 2015.


MSc. Afërdita Zymberi,
-    E diplomuar në fushën e Arkitekturës në FNA Universiteti i Prishtinës (BSc) dhe në fushën e Arkitekturës dhe Dizajnit Urban në Universitetin Polis, Tiranë (MSc).
-    Pa angazhime në parti politike.
-    E angazhuar në Komunën e Prishtinës fillimisht si vullnetare pa pagesë, më pas me Kontratë mbi vepër (Nëntor 2014 — Prill 2015).


BSc. Iliriana Sejdullahu,
-    E diplomuar në fushën e Arkitekturës në FNA Universiteti i Prishtinës (BSc), vazhdon studimet e MSc në fushën e Planifikimit dhe Politikave Urbane në Politecnico di Milano.
-    Pa angazhime në parti politike.
-    E angazhuar në Komunën e Prishtinës fillimisht si vullnetare-praktikante pa pagesë (Korrik 2014- Shkurt 2015), më pas me Kontratë mbi vepër (Mars-Gusht 2015).

BSc. Drizona Maçani,
-    E diplomuar në fushën e Arkitekturës në UBT (BSc), vazhdon studimet e MSc në fushën e Arkitekturës së qëndrueshme në Universitat Liechtenstein.
-    Pa angazhime në parti politike.
-    E angazhuar në Komunën e Prishtinës fillimisht si vullnetare-praktikante pa pagesë (Mars-Korrik 2015), më pas me Kontratë mbi vepër (Korrik-Dhjetor 2015).

BSc. Lydra Hoxha,
-    E diplomuar në fushën e Arkitekturës në FNA Universiteti i Prishtines (BSc), vazhdon studimet e MSc në të njëjtin Universitet.
-    Pa angazhime në parti politike.
-    E angazhuar në Komunën e Prishtinës fillimisht si praktikante pa pagesë në bazë të konkursit publik me 9 qershor 2015: https://www.facebook.com/komunaprishtine/photos/a.732795506765675.1073741829.703451626  366730/983833994995157/?type=3
(Korrik-Gusht 2015), më pas me Kontratë mbi vepër prej Shtatorit 2015.

BSc. Arianisa Shehu,
-    E diplomuar në fushën e Arkitekturës në FNA Universiteti i Prishtinës (BSc).
-    Pa angazhime në parti politike.
-    E angazhuar në Komunën e Prishtinës fillimisht si vullnetare-praktikante (Korrik-Shtator 2014 dhe Janar-Shkurt 2015), më pas më Kontratë mbi vepër (Janar-Gusht 2016).

BSc. Martina Culaj,
-    E diplomuar në fushën e Arkitekturës në FNA Universiteti i Prishtines (BSc) dhe vazhdon studimet e MSc, nga Tetori 2016, në fushën e Arkitekturës në Politecnico di Milano.
-    Pa angazhime në parti politike.
-    E angazhuar në Komunën e Prishtinës fillimisht si vullnetare-praktikante dhe gjatë dy muajve të fundit me një pagesë prej 120 euro/muaj të financuar nga HELVETAS (Shtator 2014 dhe Maj 2015).

Grupi i Zgjidhjeve Urbane, i cili nuk përbëhet vetëm nga anëtarët e lartë-cekur, por edhe nga zyrtarë Komunalë, të cilët prej shumë vitesh punojnë në këtë drejtori dhe e udhehëqin këtë grup, ka trajtuar tematikat e punëve si në vijim:
•    Hartimin e zgjidhjeve urbane për blloqe të caktuara, të cilat vijnë si kërkesë nga qytetarët që duan të marrin leje ndërtimore, por nuk e kanë nje zgjidhje të mirëfilltë urbane;
•    Trajtimin e lëndëve, të cilat vijnë si kërkesë nga zyrtarët që i trajtojnë aplikimet për leje ndërtimore. Këto lëndë trajtohen nga aspekti i respektimit i të të gjitha parametrave urbanistike që parashihen me plane dhe ligje në fuqi. Verifikimi i aspektit urban dhe raporti këshillues i grupit, i jep mundësi zyrtarit që më tej ta bëjë verifikimin e aspektit arkitektonik të aplikimeve që ata i trajtojnë;
•    Llogaritjen e të gjitha sipërfaqeve ndërtimore sipas planeve dhe akteve ligjore e nënligjore në fuqi;
•    Takimin me pronarë të parcelave brenda bllokut urban i cili është në trajtim nga grupi. Pronarët njoftohen për të gjitha vlerësimet që bëhen rreth pronave të tyre dhe hapat që duhet të ndërmerren per marrjen e lejes ndërtimore;
•    Krijimin e një strukture për përpunimin e lëndës, strukturë kjo e cila është bartur tek profesionistët. Në bazë të kësaj strukture të krijuar nga grupi, profesionistët do ta kenë të mundur të bëjnë zgjidhjen urbane. Zgjidhja urbane e dorëzuar nga profesionistët do të mund vetëm të verifikohet nga grupi i zgjidhjeve urbane;
•    Me anë të ndihmës së praktikantëve të angazhuar, bëhet, dizajnin grafik të propozim rregulloreve, përgatitjen grafike të konkurseve ndërkombetare që jane bërë në emër të Komunës, si dhe grafikën e shumë punimeve të tjera (punime në shkallë urbane dhe arkitektonike), gjithmonë për nevojat Komunale.
•    Ky grup, përveç të tjerash, ka krijuar dhe është duke e udhëhequr punën e grumbullimit të të gjitha informatave profesionale dhe ligjore të krijuara brenda Komunës së Prishtinës në një platformë të përbashkët dixhitale - GIS, iniciativë kjo e vetme e llojit të tillë në rang komunal në kuadër të Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë, për hir të korrektësisë dhe të informimit transparent dhe të drejtë të opinionit të gjerë publik, ftojmë të gjitha mediat në një vizitë të zgjeruar pranë kësaj drejtorie për t'i njoftuar më hollësisht për secilin projekt në veçanti — si pjesë e tërësisë së punës kolosale që është bërë nga anëtarët e ketij grupi, emrat e të cilëve janë keqpërdorur për ngjyrime të padrejta politike.

Ju faleminderit për vëmendjen,
Nga anëtarët e lartë-cekur të Grupit të Zgjidhjeve Urbane