- 24 Aug 2016
Dje, në orët e pasdites u bë inaugurimi i Bibliotekës "Hivzi Sylejmani" në objektin e ri në Dardani.
Në fjalën hapëse, Drejtori i Bibliotekës, Munish Hyseni, i uroi të gjithë miqtë e librit, përfshirë lexuesit, botuesit dhe të gjitha institucionet që kanë kontribuar në hapjen e objektit të ri të bibliotekës, bibliotekë kjo që 70 vjet po e kryen misionin e vet të shenjtë në Prishtinë. Ai uroi që bashkarisht ky objekt të ruhet dhe të shërbejë për rritjen e lexuesve si dhe shpërndarjen e dijes te gjeneratat e reja.
Drejtori i ri i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja në fjalën e tij tha se ky projekt kaq i vlefshëm me sipërfaqe prej 5800 metrash katrorë përveç këndit për fëmijë edhe të rinj ka edhe salla leximi, 250 ulëse për lexuesit e pasionuar, me vëllim voluminoz të librave, me hapësirë dhe mjete digjitale për qasje në internet e poashtu edhe salla për ngjarje të veçanta. Ai e bëri publike poashtu se Drejtoria e Kulturës do të ndajë 50 mijë euro për sigurimin e titujve të rinj të librave profesionalë për pasurimin e fondit të përgjithshëm të bibliotekës.
Hapjen e bibliotekës e përshëndeti edhe ish drejtori dhe punëtori shumëvjeçar i kësaj biblioteke, njëherësh edhe asambleist në Kuvendin Komunal në Prishtinë, Sylejman Pireva, asambleisti që mbase në secilën mbledhje të Kuvendit Komunal e ka ngritur çështjen e saj.
Në fund fjalën e mori Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, i cili duke shprehur kënaqësinë për hapjen e këtij objekti, i ftoi përveç nxënësve dhe të rinjve edhe lexuesit e të gjitha gjeneratve që ta shfrytëzojnë këtë objekt impozant. Ai e bëri me dije se ky objekt është nisur nga administrata e kaluar dhe ka qenë gati se i përfunduar, mirëpo arsyeja e mosfunksionalizimit të objektit ka qenë problemet me punëkryesin, të cilit pas lëshimeve të shumta i është ndërprerë kontrata. Kryetari Ahmeti tregoi se Grupi Koha ka shprehur dëshirën që të bëjnë donacion librash nga botimet e tyre e me këtë rast ai iu bëri ftesë edhe botuesve të tjerë që ti dhurojnë librat e tyre për bibliotekën e poashtu edhe qytetarët që kanë fond të pasur të librave në bibliotekat e tyre private.
Në fund Shpend Ahmeti përveç të tjerëve shfrytëzoi rastin që ta falenderojë Drejtoreshën e deritashme të Kulturës, Saranda Bogujevcin dhe jo vetëm për Bibliotekën, por për kontributin e gjithmbarshëm të saj gjatë punës së saj si drejtoreshë.