- 27 Oct 2023
“Tregu i Fundvitit” është aktivitet i ideuar dhe organizuar nga Komuna e Prishtinës (Kryeqyteti) për të festuar së bashku festat e fundvitit në hapësirë publike me muzikë, ushqim, pije dhe aktivitete argëtimi.
1) Vendi dhe orari i punës
Tregu i Fundvitit do të organizohet në sheshin “Xhorxh Bush” për 45 ditë kalendarike brenda periudhës 24 nëntor 2023 deri me 7 janar 2024. Ky treg do të organizohet nga biznese të cilat do të shfrytëzojnë shtëpizat e destinuara për këtë aktivitet dhe biznese mobile apo lëvizese, që nënkuptohen bizneset që do të vendosen në kamioneta apo mjete te ngjajshme.
Gjatë këtyre ditëve bizneset e përzgjedhura lejohen të punojnë çdo ditë, nga e hëna në të dielën, duke filluar prej orës 10:00 deri në orën 24:00. Përjashtim janë datat 24 dhjetor, 31 dhjetor dhe 1 janar ku mund të punohet deri në orën 03:00.
2) Kriteret e aplikimit
Përzgjedhja e bizneseve të cilat do të jenë pjesëmarrëse në Tregun e Fundvitit do të bëhet nga një komisioni i përcaktuar nga Komuna e Prishtinës.
Aplikimi i kritereve si më poshtë do të jetë përcaktues në mënyrë që përzgjedhja e bizneseve të jetë sa më adekuate:
2.1 Bizneset do të aplikojnë për produkte ushqimore, laramani të pijeve të përshtatura me stinën e dimrit si dhe ide të ndryshme të realizueshme me motive dimërore;
2.2 Bizneset aplikuese duhet të jenë me adresë operimi në Komunën e Prishtinës;
2.3 Të paraqesin certifikatën e regjistrimit në ARBK (me informata të specifikuara në kategorinë e hotelerisë dhe gastronomisë);
2.4 Pika 2.2 nuk vlen për bizneset mobile apo lëvizëse, ato mund të mos e kenë adresën e operimit në Komunën e Prishtinës;
2.5 Bizneset aplikuese duhet të paraqesin menynë dhe ofertën me çmimore për artikujt që do t’i ofrojnë;
2.6 Nëse një person fizik është pronar i njëjtë apo bashkëpronar i dy apo më shumë bizneseve, mund të bëjnë vetëm një aplikim, d.m.th. mund të aplikoj vetëm një herë;
2.7 Aplikacionit duhet t`i bashkëngjitet një dokument identifikimi, (letërnjoftim, pasaport, patent shofer);
2.8 Gjatë aplikimit bizneset duhet të përcaktohen për cilën formë po aplikojnë; si biznese që do të shfrytëzojnë shtëpizat apo si biznese mobile/lëvizëse. Në rast aplikimi për të dytën, duhet të përshkruajnë mjetin që do t`a përdorin (për vendosjen e produkteve) dhe të njëjtin ta dëshmojnë me fotografi.
3) Përparësi në përzgjedhje do të kenë:
3.1 Bizneset të cilat promovojnë përdorimin e produkteve lokale/vendore;
3.2 Bizneset që ofrojnë produkte ushqimore inovative në fushën e kulinarisë dhe produkte që kanë të bëjnë me motive të stinës së dimrit.
4) Tarifat e shfrytëzimit te shtëpizës:
4.1 Bizneset e përzgjedhura për shfrytëzimin e shtëpizave janë të obliguara të paguajnë paraprakisht shumën prej 1400 €, për shfrytëzimin e shtëpizës në hapësirën publike;
4.2 Bizneset mobile apo lëvizëse janë të obliguara të paguajnë paraprakisht shumën prej 1100 €, për shfrytëzimin e hapësirës publike;
5) Kodi i mirësjelljes dhe obligimet shtesë:
5.1 Të bëjë pagesën e tarifës dhe të njëjtën t`a paraqes në komunë, kur të ftohet për nënshkrimin e kontratës;
5.2 Të mos e bëjë shitjen e produkteve të cilat nuk janë paraparë të shiten në asnjërën prej shtëpizave;
5.3 Të mos shfrytëzojë hapësirën për kryerjen e veprave të jashtëligjshme;
5.4 Ndalohet rreptësishtë bartja e së drejtës së shfrytëzimit të hapësirës palëve të treta;
5.5 Muzika dhe performancat në hapësirat e këtij aktiviteti gjatë gjithë kësaj periudhe do të jetë e organizuar dhe e përbashkët. Muzika dhe performancat individuale të bizneseve në shtëpizat e tyre është e ndaluar rreptësishtë;
5.6 Obligohen të gjitha bizneset të sigurojnë hapësirën dhe mjetet e punës kundër dëmtimit/vjedhjes;
5.7 Të vendosin në vend të dukshëm çmimorën e produkteve;
5.8 Bizneset përfituese duhet të jenë të pajisura me mjete/vegla të përshtatshme pune për veprimtarinë të cilën do ta ushtrojnë në këtë aktivitet;
5.9 Në shtëpiza nuk lejohet të futet aparati i kafes, përveç shërbimit me kafe instant.
5.10 Bizneseve të përzgjedhura do t’u lejohen vetëm 6 banake para shtëpizave tyre;
5.11 Të gjitha bizneset duhet të jenë në koordinim të plotë me kërkesat nga stafi i Komunës si dhe të respektojnë në përpikëri kontratën e nënshkruar.
5.12 Bizneset përfituese janë të obliguar të bashkëpunojnë me Komunën në dekorin e shtëpizave, pasi që të gjitha shtëpizat duhet të kenë pamje të njëjtë;
5.13 Të respektojnë orarin e përcaktuar të punës;
5.14 Obligohen të gjitha bizneset e përzgjedhura që të kenë shporta të mbeturinave afër shtëpizës së tyre, si dhe pas përfundimit të orarit të punës ta pastrojnë shtëpizën dhe hapësirën rreth tyre;
5.15 Bizneset përfituese obligohen të kthejë shtëpizën/hapësirën në gjendjen e mëparshme me mbylljen e tregut dhe të merren përgjegjesitë për dëmet eventuale.
6) Mënyra e aplikimit
Afati për aplikim: Nga data 30.10.2023 deri më datën 9.11.2023 prej ores 09:00-15:00, Komuna e Prishtinës (ndërtesa e vjetër), sporteli nr.1;
7) Procesi i ankesës
Me shpalljen e listës së bizneseve përfituese, palët e pakënaqura mund të paraqesin ankesë tek Komisioni për shqyrtimin e ankesave dhe parashtresave, Komuna e Prishtinës (ndërtesa e vjetër), sporteli nr.1; në afatin e përcaktuar në listën e shpallur.
8) Vërejtje:
8.1. Komuna e Prishtinës nuk merr përsipër përgjegjësinë dhe obligimet ndaj Adminstratës Tatimore të Kosovës rreth arkës fiskale, andaj obligohen të gjitha bizneset e përzgjedhura që kuponët fiskal t’i vërtetojnë (vulosin) në Administratën Tatimore të Kosovës.
8.2. Nëse nuk zbatohet kodi i mirësjelljes i sqaruar më lartë si dhe kontrata e nënshkruar, bizneset do të sanksionohen me marrjen e lejes për shtëpizë, do të futen në listën e zezë të Komunës së Prishtinës si dhe nuk do të bëhet kthimi i mjeteve të paguara për shfrytëzimin e saj.
8.3 Me shpalljen e listës , përfituesit do të njoftohen për kohën dhe vendin e nënshkrimit të kontratave dhe detajet tjera përcjellëse.