Prezantohen rezultatet e vizitave sistematike të nxënësve në Komunën e Prishtinës

- 13 Oct 2016

Sot, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arben Vitia,  Dr. Rrezart Halili u.d. Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Dr. Nexhmedin Hoti,  Dr. Teuta Hoxha, dr. Ardian Beqaj dhe Dr. Merita Barani, paraqitën të dhënat nga vizitat sistematike në shkollat fillore të Komunës Prishtinës.
Në konferencë mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Ivo Šilhavý, si donator i këtij projekti, i cili ka ndihmuar me laptopë dhe program softwerik për digjitalizimin e këtyre të dhënave.

Fëmijët e moshës shkollore janë kategori e veçantë e popullatës për shkak të rritjes dhe zhvillimit aktiv të tyre, prandaj ata kërkojnë edhe kujdes të veçantë shëndetësor. Shëndeti i fëmijëve është edhe një prej treguesve të rëndësishëm për gjendjen shëndetësore të popullatës. Gjatë shkollimit të rregullt si masë preventive për mbrojtjen shëndetësore të fëmijëve, punëtorët shëndetësor per vitin e tretë rradhazi kryejnë edhe vizita sistematike.

Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Prishtinë në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe stafin udhëheqës të QKMF morri iniciativën për organizimin e vizitave sistematike të nxënësve të shkollave fillore në Komunën e Prishtinës, me ç’rast u bë vlerësimi i gjendjes shëndetësore të nxënësve identifikimi i deformiteteve, anomalive apo sëmundjeve specifike për moshën dhe ndërmarrjen e masave për parandalim dhe korrigjimin e tyre.
Qëllimi i këtyre vizitave është që të krijohet një pasqyrë për gjendjen shëndetësore të nxënësve, të identifikohen problemet më të shpeshta shëndetësore apo ngecjet në zhvillimin fizik dhe psikik të tyre, si dhe të krijohet një bazë e të dhënave për ndërmarrjen e masave për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të tyre. Gjithashtu, duke krahasuar rezulatetet e vizitave në vitet paraprake është bërë edhe krahasimi dhe masat e ndërmarra në këto tri vite.

Ky aktivitet është realizuar nga i QKMF-së, Drejtorisë Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në bashkëpunim të ngushtë me , Drejtorinë Komunale për Arsim dhe Drejtoritë e Shkollave Fillore. Për realizimin e këtij aktiviteti u kujdesën 15 ekipe implementuese.

Vizitat sistematike janë realizuar sipas planit dhe kanë përfunduar në të gjitha shkollat fillore në komunën e Prishtinës. Drejtoria për Shëndetësi dhe Drejtoria e QKMF duke u bazuar në planin e hartuar, edhe këtë vit bëri furnizimin e nevojshëm të pajisjeve mjekësore, materialit administrativ dhe mjeteve tjera harxhuese sipas nevojës për ekipin e Mjekut Familjar dhe ekipin e Stomatologut. Me. ndihmën e ambasadës Çeke, edhe këtë vit i gjithë procesi i mbledhjes së të dhënave ishte i digjitalizuar.

Numri i përgjithshëm i nxënësve që janë vizituar është 10050.
 
Nga këto vizita sistematike, doli se shëndeti i nxënësve është deri diku i kënaqshëm, por në disa raste janë evidentuar patologji dhe anomali që është dashur të intervenohet menjëherë.
Këtë vit vërehet një përmisim i dukshëm i higjenës orale pas rezultateve alarmante në vitin 2014 , kjo pas masave të ndërmarra mga DSHMS dhe QKMF. Por këtë vit është shqetësuese rritja e obezitetit dhe deformimeve muskuloskeletore te nxënësit e Komunës së Prishtinës.

Për këtë, Shumë shpejt, Komuna e Prishtinës do të nis me tri projekte për edukim, promovim dhe ligjërata me mjekë dhe Infermier nëpër shkolla për të ndërhyrë dhe për të rritur ndërgjegjësimin e nxënësve dhe prindërve për këto probleme.