Besi - Hapja e çerdheve me bazë në komunitet

- 25 Nov 2014

Hapja e çerdheve me bazë në komunitet ishte tema e diskutimeve që përfaqësuesit e lartë të Komunës së Prishtinës, drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci dhe udhëheqësja e kabinetit Fitore Pacolli i bashkëbiseduan me përfaqësuesit e fshatit Besi dhe të disa fshatrave që gravitojnë përreth.

Qëllimi këtij modeli të çerdheve është që ato të jenë me kosto të përballueshme për prindërit.

“Më parë kemi qenë në fshatin Besi dhe e kemi vizituar objektin që mund të shndërrohet në çerdhe, pra objektin e ambulantes së vjetër që aktualisht ka mbetur i zbrazët dhe nuk përdoret për asgjë. Si Komunë e Prishtinës jemi duke synuar që gjatë viteve të ardhshme të inkuadrojmë të gjithë fëmijët në çerdhe, pasi që është primare edukimi i fëmijëve që në moshë të re. Lidhur me çerdhen që planifikohet të hapet fshatin Besi tashmë është hapur oferta për projektimin e çerdhes në këtë pjesë, ndërsa më pas fillojnë procedurat e renovimit të objektit si dhe paisja me mjete didaktike dhe përzgjedhja e stafit”, tha udhëheqësja e kabinetit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Fitore Pacolli.

Qëllimi i modelit të çerdheve me bazë në komunitet është që vetë prindërit të cilit i dërgojnë fëmijët në çerdhe, ta bëjnë menaxhimin e saj, si dhe ajo të ketë kosto të përballueshme. Në këtë rast, Komuna e Prishtinës do ta vë në dispozicion objektin si dhe do të sigurojë mjetet didaktike, si dhe do të përkujdeset deri kur çerdhja do të jetë funksionale, mirëpo do të jenë janë prindërit ata që do të menaxhojnë dhe do ta ngrenë cilësinë e shërbimeve në çerdhe.

Hapja e konkursit për zgjedhjen e udhëheqësit të çerdhes do të bëhet na bashkëpunim të plotë midis përfaqësuesve të këshillit prindëror dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit, ndërsa pranimi i stafit do të bëhet me konkurs publik.

Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit i inkurajojë të pranishmit të jenë bashkëpunues si të mos të hezitojnë të shprehin nevojat dhe kërkesat e tyre. Prindërit e pranishëm kishin disa ankesa konkrete për metodologjinë e punës së disa mësimdhënësve të kësaj shkolle, ndërsa drejtoresha Nagavci iu premtoi se do të dërgojë inspektorët komunal që do të verifikojnë kualifikimet dhe performancën e mësimdhënësve, ndërsa do t’i ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj, pasi që siç u shpreh ajo, zhvillimi i shtetit bëhet vetëm duke e zhvilluar shtyllën më të rëndësishme, arsimin.

Së shpejti pritet edhe hapja e çerdheve në lagjet “Mati” dhe në “Hajvali”. Në lagjen “Mati” procedurat janë në përfundim e sipër, pas zgjedhjes së këshillit të prindërve ka nisur renovimi i objektit dhe janë porositur mjetet didaktike, në të njëjtën fazë të punimeve është edhe objekti që është paraparë të jetë çerdhe në “Hajvali”.

Takimi i radhës me përfaqësuesit e fshatit Besi dhe të fshatrave të tjera që ndodhen përreth planifikohet të realizohet pas dy javëve me ç’rast do të zgjidhet edhe këshilli i prindërve. Njëkohësisht, Komuna e Prishtinës shkaku i kërkesave dhe nevoja të banorëve të kësaj ane, do të organizojë edhe një diskutim publik ku të pranishëm do të jenë edhe Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale dhe ai i Drejtorisë së Shërbimeve Publike.