- 25 Nov 2014
Pas mënjanimit të pengesave që ndërlidheshin me çështje pronësore, tashmë është duke vazhduar realizimi i projektit “Enver Maloku”
“Pas problemeve me pronat që kemi pasur në rrugën “Enver Maloku” tanimë kanë filluar punimet. Janë zgjidhur problemet pronësore. Këtu ka ekzistuar një kontest pronësor, me pronarë të caktuar që kanë pasur një marrëveshje paraprake me qeverisjen e kaluar komunale, marrëveshje që ka qenë antiligjore. Pasi që më palët në fjalë nuk kemi gjetur gjuhë të përbashkët që të arrihet një marrëveshje në përputhje me ligjin, atëherë ne pjesën e parcelës që e përfshin rrugën “Enver Maloku” e kemi shpronësuar dhe rrjedhimisht kjo pronë tashmë është shndërruar në pronë komunale “, ka deklaruar drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale në Komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi.
Plani dinamik për realizimin e kësaj rruge është 150 ditë pune, ndërsa punimet janë duke i kryer kompanitë “Beni Com” dhe “Kastrioti”.
Rruga “Enver Maloku” lidhet me rrugën “B” dhe rrugën “Muharrem Fejza”. Kjo rrugë është shumë e rëndësishme për banorët e lagjes “Mati I”, që deri tani janë ballafaquar me probleme të shumta për shkak të vonesave të realizimit të këtij projekti. Kjo rrugë është e gjerë 32 metra dhe me gjatësi prej një kilometri.