- 22 Nov 2016
Sot në Komunën e Prishtinës, Drejtori i Administratës Publike, Muhedin Nushi, së Bashku me Kryetarin Shpend Ahmeti dhe Drejtorin e departamentit të demokratizimit, të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Christopher Tuetsch bënë lansimin e Platformës Digjitale për Pjesëmarrje Publike.
"Kjo platformë është pilot projekt, i cili është krijuar me ndihmën e OSBE-së dhe iu ofron qytetarëve qasje online dhe mundësi për propozimet e projekteve për lagjet e tyre, si dhe votimin e qytetarëve të kësaj lagjeje për projektet e propozuara", tha Drejtori i Administratës Publike, Muhedin Nushi.
Ndërkaq, Kryetari, Shpend Ahmeti, duke i përmendur mbi 50 dëgjime publike gjatë vitit, lagje më lagje, tha se kjo mënyrë e komunikimit do të jetë mundësi shtesë për qytetarët që të propozojnë, ankohen dhe të votojnë për projektet e lagjeve. "Kjo e rrit transparencën dhe e obligon Komunën që të mirret me kërkesat konkrete të qytetarëve dhe të planifikojë buxhetin", tha Ahmeti.
Në fund, Christopher Tuetsch, Drejtor i Departamentit të Demokratizimit në OSBE, shfaqi kënaqësinë e tij për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në mes OSBE-së dhe Komunës së Prishtinës e që është konkretizuar në projekte siç është edhe lansimi i kësaj platforme.
Ai tha se kjo organizatë do të ndihmojë të gjitha projektet e inkuadrimit të publikut në pjesëmarrje aktive dhe në proceset vendimarrëse nga autoritetet lokale.