- 26 Nov 2016
Në prag të festave të Nëntorit, Tirana është kthyer në kryeqytetin e shqiptarisë. Delegacioni i Tiranës ishte nikoqir i delegacioneve nga komunat e hapësirave shqiptare si Prishtina, Tetova, Ulqini e Presheva. Në takimin e udhëheqësve të këtyre komunave u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit, por edhe shkëmbimit të përvojave më të mira për zhvillimin dhe mirëqenien e faktorit shqiptar në këto komuna.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shprehu kënaqësinë për konkretizimin e kësaj nisme, si dhe theksoi se takime të tilla i shërbejnë drejtuesve të komunave/bashkive, por edhe stafeve të tyre drejtuese, për të vlerësuar drejt problematikat me të cilat përballen sot qytetet shqiptare. “Problematika e qyteteve shqiptare, pajtohem që është problematikë e veçantë, e cila na detyron, na sfidon që të bashkëpunojmë, në mënyrë që këto çështje t'i shkëmbejmë edhe si përvoja, edhe si zgjidhje, e pse jo, edhe nëse diçka ka që e kemi provuar dhe s’ka ecur, t'i themi të tjerëve që mos e provoni, sepse kjo nuk funksionon. Ky është vetëm takimi i parë, shpresoj që komunat e tjera sa më shpejt të jemi nikoqirë të takimeve të radhës dhe të fillojmë dhe të shtojmë komunat e tjera, që edhe ato të bëhen pjesë e këtij rrjeti”, tha Ahmeti.