U hap panairi "Blej Shqip"

- 27 Nov 2016

Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota, së bashku me Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, të Republikës së Shqipërisë, Milva Ekonomi, hapën sot zyrtarisht panairin "Blej Shqip", i cili mbahet për nder të festës kombëtare, 28 Nëntorit.
Në fjalën e tij, Drejtori Bashota duke i dëshiruar mirëseardhje Ministres Ekonomi, tha se ky panair tashmë është tradicional dhe sivjet interesimi ka qenë edhe më i madh se viteve paraprake, kështu që rreth 120 prodhues nga të gjitha trevat po marrin pjesë. "Sa më shumë që blejmë produkte tona, aq më shumë fuqizohemi si komb", tha Genc Bashota.
Ndërkaq, Ministrja, Milva Ekonomi, shfaqi kënaqësinë e saj që gjindet përsëri në Kosovë dhe po merr pjesë në hapjen e panairit, të cilin e cilësoi si shumë të rëndësishëm, ku sipërmarrësit nga Kosova, Shqipëria dhe trevat tjera mësojnë për prodhimet e njëri-tjetrit dhe gjejnë format e bashkëpunimit në mes tyre. Ajo tha se sa herë që ndodhin të tilla bashkëpunime, të gjitha barrierat e mundshme zhduket dhe kështu uroi të jetë edhe në të ardhmen.
Panairi do të jetë i hapur deri më 30 nëntor.