Liburn Aliu prezantoi problemet dhe sfidat që i ka pasur në sferën e urbanizmit në konferencën e parë të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon

- 27 Nov 2016

Drejtori i Urbanizimit, Liburn Aliu, para delegacioneve të Tiranës, Ulqinit, Tetovës dhe Preshevës, prezantoi problemet dhe sfidat që i ka pasur në sferën e urbanizmit në Komunën e Prishtinës, prej momentit që udhëheqë me këtë drejtori.

Lejimi i kaosi urbanistik për 14 vite me radhë nga qeverisja e kaluar, ka vështirësuar tej mase punën në këtë drejtori. Aliu theksoi se më shumë dëme janë vërejtur në zonat ku ka plane rregulluese, sesa në zonat që nuk ka plane të tilla. Kjo për shkak të kritereve johumane që i kanë pasur ato plane rregulluese, me synim të vetëm profitin individual e grupor pa e pasur parasysh interesin e përgjithshëm. Përveç ndërtimeve të tilla të bëra me leje por me plane rregulluese të dëmshme, Prishtina është ngulfatur edhe nga dhjetëra mijëra ndërtime pa leje të cilat tani trajtohen përmes ligjit për legalizim.

Aliu më tej prezantoi disa nga projektet e realizuara të kësaj drejtorie që kanë ndikuar dukshëm në përmirësimin e defekteve të mëdha urbane të Prishtinës, si dhe projektet që priten të realizohen në vazhdim.