Drejtori i Administratës, Muhedin Nushi, në konferencën e Unionit të Bashkive Shqiptare foli për inovacionet dhe digjitalizimin që është në Komunën e Prishtinës

- 27 Nov 2016

Aplikimi online për dokumentet nga zyra civile, sistemi i menaxhimit të radhëve, sistemi “One Stop Shop”, dhe e-Kiosku kanë ndikuar tej mase në zvogëlimin e pritjeve për shërbime të ofiqarisë në komunë. Më parë pritej me orë të tëra, tani shërbimi kryhet për mesatarisht 6.2 minuta brenda sporteleve të komunës, e për vetëm 30 sekonda tek e-Kiosku. Vlen të theksohet se për 16 muaj, janë dhënë mbi 32.000 dokumente nga e-Kiosku, që do të thotë 32.000 qytetarë më pak në sportele brenda Komunës.

z. Nushi më tej foli edhe për portalin e punësimit, e-Rekrutimi, ku janë të gjitha të dhënat rreth punësimeve në Komunë; për transparencën maksimale në paraqitjen e shpenzimeve komunale online; platforma “Open Data” ku vizualizohen të dhënat dhe procedurat për secilën faturë; digjitalizimi i inspekcionit dhe dhoma e zgjuar; platformën digjitale për participim publik në vendimmarrjen dhe planifikimet e komunës; si dhe digjitalizimin e 124 procedurave administrative.